Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në bugun e Fushë-Krujës, ku një i paraburgosur është vetëvarur.

Viktima është identifikuar si Qani Muça, 57 vjeç, i arrestuar për “vrasje e funksionarëve publikë” e mbetur në tentativë dhe “mbajtje pa leje e armëve”.

Qani Muça ndodhej në paraburgim pasi dy vite më parë plagosi me armë zjarri inspektorin e IMT-së, Ilirjan Gavelli,  teksa ky i fundit ishte duke monitoruar aksionin për shembjen e banesës së 57-vjeçarit.

Muça është gjetur i vetëvarur në tualetin e dhomës ku qëndronte, në pjesën e grilës së ajrimit.

Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve

Sot, më datë 19 maj 2025, rreth orës 03:34, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fushë-Krujë, i paraburgosuri Qani Hamit Muça është gjetur i vetëvarur në tualetin e dhomës ku qëndronte, në pjesën e grilës së ajrimit.

Ngjarja ka ndodhur në sektorin 2, kati i dytë, godina B, ku i ndjeri qëndronte së bashku me pesë të paraburgosur të tjerë.

Sipas informacionit paraprak, rreth orës 03:34 është vënë re nga një prej të paraburgosurve që Muça po vonohej më shumë sesa zakonisht.

Ky i fundit ka hapur derën dhe ka konstatuar Qani Muçën të vetëvarur në grilën e dritares. Menjëherë është njoftuar shërbimi i sigurisë, ndihmës-mjeku i institucionit, si dhe janë njoftuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Shërbimi për Kontrollin e Brendshëm në Burgje (SHKBB).

Grupet hetimore kanë mbërritur në ambientet e institucionit rreth orës 04:00 dhe kanë nisur procedurat për dokumentimin dhe hetimin e ngjarjes.

I ndjeri, Qani Hamit Muça, i datëlindjes 02.07.1967, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, ishte i divorcuar, me arsim të mesëm dhe i padënuar më parë.

Ai ishte arrestuar më datë 12.08.2024 për veprat penale: “Vrasje e funksionarëve publikë”, e mbetur në tentativë; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” (nenet 79/a–22 dhe 278/1 të Kodit Penal). Në IEVP Fushë-Krujë ishte transferuar më datë 28.09.2024 nga IEVP “Jordan Misja”.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllimet familjes!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko