Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Taulant Balla së bashku me kryetarin e bashkisë Mallakastër Qerim Ismailaj dhe deputetin Ismet Beqiraj kanë inspektuar sot punimet që po kryhen në rrugën që lidh autostradën me Hekalin dhe Parkun Arkeologjik të Bylisit.

 

Balla u shpreh se në qershor ky segmet do të jetë gati si dhe theksoi se tashmë turistët mund të vizitojnë Bylisin, këtë gur të çmuar të arkeologjisë shqiptare, pasi infrastruktura nuk do të jetë më një problem.

 

“Qershori është afati i mbylljes së punimeve të këtij segmenti kaq të rëndësishëm për zonën e Mallakastrës. Me përfundimin e kësaj vepre kaq të rëndësishme, unë do ta quaja diamanti i arkeologjisë shqiptare, Bylisi bëhet i aksesueshëm për të gjithë turistët të cilët e kishin të vështirë ta vizitonin për shkak të infrastrukturës. Ndërtimi i kësaj rruge po realizohet sipas standardeve më të mira. E rëndësishme për zonën është edhe zhvillimi i agroturizmit, ndaj u them të gjithëve Mallakastriotëve që janë larguar nga Mallakstra, të rimendojnë tashmë të rikthehen dhe shtëpitë e tyre të vjetra t’i kthejnë në pika agroturizmi pasi Bylisi është një ndër pasuritë më të mëdha arkeologjike jo vetëm të Shqipërisë, por të Ballkanit”, u shpreh Balla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re