Skip to content

Në shkelje të ligjit, Kuvendi kërkon shkurtimin e pagave për administratën

Që pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus, Shqipëria është paralizuar tërësisht. Vendi është futur në shtetrrethim, ndërkohë që qindra biznese kanë pezulluar aktivitetin e tyre duke lënë në shtëpi mijëra punëtorë.

Qeveria ka prezantuar një paketë ekonomike, ku do të mbështesë me një “pagë lufte” të gjithë ata punëtorë të siguruar të bizneseve private që nuk kanë mundësi të shkojnë në punë për shkak të situatës së krijuar.

Por ndërsa qeveria njofton se do të ndihmojë një kategori të caktuar, po cënon të drejtat që mbrohen me ligj të një kategorie tjetër.

Përmes një shkrese të firmosur nga Gramoz Ruçi, Kuvendi u ka kërkuar 18 institucioneve të rëndësishme në vend që të solidarizohen duke përgjysmuar pagat e tyre. Deputetët, pasi morën vendim për të përgjysmuar pagat e tyre, kërkojnë që të njëjtën gjë të bëjë edhe administrata.

Kemi të bëjmë me një kërkesë paradoksale, pasi të gjitha qeveritë e vendeve të botës po nxjerrin paketa mbështetëse në ndihmë të administratës, ndërsa vendi ynë kërkon para nga administrata.

Një praktikë e tillë nuk haset në asnjë shtet, ku një grup deputetësh të një parlamenti, në vend që të ofrojnë alternativa zgjidhjeje për të dalë nga ngërçi, kërcënojnë financat e punonjësve të administratës, në shkelje flagrante të ligjit.

Kolaps me shërbimet

Mes institucioneve që u kërkohet përgjysmimi i pagës, janë edhe institucionet e reja të drejtësisë. Organet e drejtësisë së re, janë të mbështetura direkt nga SHBA-BE, si nga ana financiare, ashtu edhe nga ana politike. Të gjithë sytë janë drejtuar aty dhe pas pastrimit të drejtësisë, tashmë shqiptarët presin edhe zbardhjen e shumë skandaleve dhe krimeve që janë tentuar të “varrosen” përgjithmonë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisioni i Posaçëm i Apelimit, SPAK (Struktura e Posaçme Antikorrupsion) dhe Gjykata e Posaçme janë institucione të pavarura që duhen mbështetur që të mos cënohet veprimtaria e tyre.

Por ndërsa Kuvendi flet për ulje të pagave, prokurorët e SPAK nuk kanë përfituar ende shtesat e miratuara me ligj. Aktualisht, ata punojmë me paga miminale, edhe pse janë struktura më e rëndësishme e drejtësisë në vend.

Ulje e pagave është kërkuar edhe për Autoritetin e Mediave Audiovizive, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, Autoritetin e Konkurrencës dhe disa enteve rregullatore.

Shkelja e ligjit 

Kërkesa e Kuvendit nuk është pritur mirë nga institucionet, pasi pagat e punonjësve preken vetëm me ligj. Prokurori i Përgjithshëm, Osljan Çela ka dalë kundër kërkesës së kryeparlamentarit Gramoz Ruçi për të përgjysmuar pagën.

Në letrën që kryeprokurori i kë dërguar prokurorive, Çela thekson se paga e magjistratëve mund të cenohet vetëm me ligj. Kryeprokurori bën thirrje për solidaritet, por ky nuk mund të jetë detyrim. Raportohet se pakënaqësi ka patur edhe Banka e Shqipërisë dhe SPAK. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion është një prej institucioneve ku i kanë drejtuar sytë të gjithë dhe me pritshmëritë më të larta nga qytetarët.

Cënimi i pagave, do të cënonte edhe punën e këtij institucioni që ka në tavolinë dhjetëra dosje të bujshme për të hetuar.