Kryebashkiaku aktual i Shkodrës dhe njëkohësisht kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki, Bardh Spahia, ka denoncuar se qeveria dhe grupet kriminale kanë hedhur para të pista për të deformuar votat e qytetarëve.

Komentet Spahia i bëri në takimin përmbyllës të fushatës elektorale në Shkodër, ku i pranishëm ishte edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Spahia ftoi qytetarët të dalin masivisht në votime në zgjedhjet e 14 majit dhe premtoi se fitorja në Shkodër do të jetë e thellë.

“Faleminderit që na hapët dyert e zemrat. Në çdo takim që kam patur me ju, keni patur durimin e të dëgjuarit. Kudo ku kemi rrugëtuar këto kohë, kam ndierë frymën e fitores që dini të jepni vetëm ju, populli i Shkodrës. Fitorja e 14 majit do të jetë më e thellë e shpresdhënëse për Shkodrën tonë. As në momentet më delikate që ka kaluar vendi ynë nuk kemi gabuar.

Nuk do të ndodhë as këtë herë. E kam bindje këtë, përtej parave të pista që janë hedhur dhe po tentojnë ta bëjnë pis Shkodrën. Na ndajnë vetëm 2 ditë nga e diela e 14 majit. Të vlerësojmë këtë moment dhe rëndësinë që ajo ditë ka. Ju ftoj me zemër të dilni masivisht në votime dhe të kurorëzojmë fitoren tonë ashtu siç i ka hije Shkodrës. Vota për Bardh Spahinë do të jetë mbështetja për një ekip profesionist. Kemi lindur dhe jemi rritur në këtë qytet.

Prandaj ftesa jonë është të drejtojmë bashkarisht Shkodrën. Kjo fitore do të jetojë fortë, do ta bëjë edhe më të fortë Shkodrën ekonomikisht dhe administrativisht. Këtë madhështi e kemi në duar të mos e lemë të shkatërrohet nga ata që bëjnë çdo gjë për t’ja zbehur Shkodrës”, u shpreh Spahia.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re