Në një intervistë të drejtpërdrejtë për Fax News, eksperti i ekonomisë Enriko Cenko trajtoi të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”, një nismë e promovuar si shpëtim për zonat rurale dhe si mundësi për të rikthyer shqiptarët në tokat e të parëve.
Sipas Cenkos, retorika politike në Shqipëri, nga të dy krahët, mbetet kontradiktore në të ashtuquajturën “të drejtë relative”.
Ai u shpreh se paketat ekonomike promovohen sikur janë në të mirë të vendit, por realisht dështojnë në zbatim dhe shpesh nuk janë as në përputhje me Kushtetutën.
“Popullsia ka rënë ndjeshëm. Dhe me një numër më të vogël banorësh, krijohen më shumë hapësira për abuzime me buxhetin dhe për pasurim të padrejtë përmes bizneseve fiktive,” – tha Cenko.
Qytetarët që trashëgojnë tokë në zonat malore mund të blejnë 1 metër katror për vetëm 1 euro.
Në letër, kjo tingëllon si një ofertë tërheqëse për ata që dëshirojnë të rikthehen në trojet e të parëve.– u shpreh Cenko.
“Në momentin që dikush kthehet në tokën e gjyshit të tij, ku është dokumenti që vërteton pronësinë? Dhe çfarë ndodh kur kjo tokë tashmë është zënë nga të tjerë? Paketa përplaset me realitetin shqiptar të pronave të pazgjidhura dhe konflikteve të vazhdueshme për truallin,” – thekson Cenko.
Ndërkaq, Enriko Cenko solli shembuj konkretë nga rajoni dhe Europa.
Në Maqedoni, shteti ofron deri në 100 mijë dollarë për çiftet që duan të kthehen dhe të hapin një biznes bujqësor në tokën e trashëguar me kushtin që të mos largohen për 10 vjet.
Ndërsa Italia, në jug të vendit, jep deri në 50 mijë euro për të rinjtë që rikthehen në shtëpitë e prindërve ose gjyshërve, me objektivin për të rinovuar shtëpinë dhe për të zhvilluar një biznes të vogël rural.
“Krahasuar me këto modele të suksesshme, ‘Paketa e Maleve’ është më shumë një propagandë simbolike sesa një politikë reale zhvillimi. Ajo nuk ofron as mbështetje financiare, as zgjidhje për çështjet pronësore, dhe as një strategji për integrimin ekonomik të të rikthyerve,” – argumenton Cenko.
Eksperti paralajmëron se pa një platformë të qartë ligjore, një proces të ndershëm legalizimi dhe incentivim të vërtetë ekonomik, çdo nismë e ngjashme me “Paketën e Maleve” do të mbetet një tjetër dështim në listën e gjatë të politikave boshe.
