Për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” ajo tha se kishte vetëm një ëndërr, ta shihte veten drejt. Madje shpesh herë në ëndërr e shikonte veten me trupin e drejtë, derisa realiteti i dhimbshëm i përplasej në shpirt.

Emisioni dhe shqiptarët bamirës e bënë realitet ëndrrën e Arlinës nga Prishtina. Operacioni i saj doli me sukses dhe kush mund të ishte më i lumtur sesa dy prindërit e 22 vjeçares. Nëna dhe babai i Arlinës kryen një lidhje direkte me emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”, pa e ditur se i priste një tjetër surprizë e këndshme.

Selimi, babai i Arlinës, në vitet e luftës në Kosovë gjeti strehim në Shqipëri, ashtu si shumë vëllezër e motra kosovarë. E pikërisht mbi këtë rast, emisioni solli një ‘ribashkim’ të familjes së tij, me një prej pjesëtarëve të familjes shqiptare, që e ndihmuan gjatë viteve të luftës.

Biseda në studio

Elvis Naçi: Juve ju lidh me Shqipërinë një tjetë moment, apo jo?

Selimi: Të them të vërtetën, ne me Shqipërinë nuk e kemi këtë rast, të parin, sepse ne në Shqipëri kemi qenë gjatë luftës si refugjat. Kam gjetur mbështetje shumë të madhe. Kam miq shumë të mirë të cilëve u jam përjetë falenderues.

Sidrit Bejeri: Në më lejon, nuk ta pranoj atë fjalën refugjat, se ke ardhur në tokën tënde e të motrat e vëllezërit tuaj.

Selimi: Ne ikëm nga lufta dhe në Shqipëri kemi patur një pritje më shumë se vëllazërore. Jo vetëm atëherë kam gjetur miq, por edhe tani. Atëherë ishin tjera rrethana e kushte, e jam përjetë falenderues, edhe atëherë edhe tash.

Ndiqeni ketu biseden e plote

Elvisi: Zoti Selim, të kujtohet familja?

Selimi: Po më kujtohet patjetër. Është familja Lapaj, e Ferman Lapajt nga Saranda. Një familje bujare, shpirtmirë e humane. S’kam fjalë ta përshkruaj, njerëz shumë të respektuar jo vetëm për familjen time.

Elvis: Të lutem qëndron në linje me ne sepse do të lidhemi me njërin prej pjesëtarëve të kësaj familje, me Adriatik Lapajn.

Selimi: Me kënaqësi e pres

Adriatik: Mirmbrëma Elvis, Sidrit, Eneida, Selim, të gjithëve. Ju falenderoj shumë për këtë ndihmë të jashtëzakonshme që i keni bërë Arlinës. Është një ndihmë edhe për ne si familje, pasi Selimi është mik i babait tim dhe pjesë e familjes. Unë i ftoj bamirësit që të bashkohen e të ndihmojnë sa më shumë shqiptarë, sepse ne veten kemi.