Skip to content

Në skenë dolën mjekët turq, por kush i ka dhënë paratë për vaksinën e Covidit, që pritet të dalë shumë shpejt në treg

Tashmë është njoftuar se dy mjekë gjermanë me prejardhje turke, mjekia Özlem Türeci dhe mjeku Ugur Shahin, kanë zbuluar një injeksion kundër koronavirusit. Ky është hapi i parë për të luftuar pandeminë me injeksion.

Është njoftuar po ashtu se firma Biontech, të cilën e ka themeluar Shahin, ka bashkëpunuar me firmën Pfizer, shef i së cilës është një grek. Dy fëmijë emigrantësh turq në Gjermani dhe një grek i lindur në Selanik, i cili rrjedh nga një familje hebraike, zbulojnë armën mjekësore kundër koronës – a ka lajm më të mirë në këto kohëra të zymta? Por kjo nuk është e vërteta e plotë.

Sepse vaksina me gjasë nuk do të ishte zbuluar pa paratë e vëllezërve Andreas dhe Thomas Strüngmann, binjakë njëvezorë. Vlera e Biontech në bursë është 25 miliardë dollarë, më shumë se vlera e Deutsche Bank (Dojçe bank), e cila është 150 vjet e vjetër.

Para 15 vitesh vëllezërit Strüngmann shitën firmën e tyre farmaceutike. Për 5,6 miliardë euro. Me këto para ata do të mund të jetonin pa gajle e shqetësime, madje ndoshta ndonjë milion do të mbeste edhe për pasardhësit e tyre. Por miliarderët e mirë mendojnë për të mirën e shoqërisë. Miliarderët e mirë, vëllezërit Strüngmann, thanë: tash ne duhet t’ia kthejmë një të mirë Gjermanisë, duam të investojmë në farmaceutikën novatore.

Më 25 shtator 2007 Thomas Strüngmann priti në zyrën e tij në München zotin Shahin, zonjën Türeci dhe mentorin e tyre akademik Christoph Huber. Ata erdhën nga qyteti i Mainzit. Kishte edhe njerëz të tjerë në takim, kryesisht miq të vëllezërve Strüngmann dhe investitorë. Mjeku Shahin prezantoi planet e tij mbi të ardhmen e mjekësisë kundër kancerit.

Në fund të prezantimit, siç shkruan gazeta «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung», Thomas Strüngmann doli jashtë, telefonoi me vëllain e tij, Andreas, dhe u kthye e tha: «U krye!» Dhe vëllezërit Strüngmann nuk investuan 5 apo 10 milionë euro, por 150 milionë euro. Kështu u vunë themelet e firmës Biontech, e cila bazuar në ekspertizën e hulumtimeve për ilaçe të reja kundër kancerit zhvilloi edhe vaksinën kundër koronavirusit.

/faxweb