Skip to content

Në sulmet e regjimit të Asadit në Idlib humbin jetën 7 civilë

Shtatë civilë humbën jetën dhe 13 të tjerë u plagosën në sulmet që forcat e regjimit të Bashar Al-Asadit zhvilluan në qendrën e qytetit Idlib dhe komunat përreth saj në Siri.

Forcat e regjimit të përbërë nga regjimi i Asadit dhe grupet terroriste me mbështetje iraniane, duke shkelur armëpushimin e arritur në muajin mars ndërmjet Turqisë dhe Rusisë, kryen që nga orët e mëngjesit sulme me armë që qëllojnë tokë-tokë të tilla si artileri, raketa dhe mortaja ndaj qendrës së qytetit Idlib dhe komunat përreth saj.

Sipas informacioneve të marra nga burimet e Mbrojtjes Civile (Baretat e Bardha) në Idlib, mësohet se në sulmet e kryera nga forcat e regjimit janë plagosur 13 civilë dhe kanë humbur jetën 7 civilë, prej të cilëve 4 në zonën Eriha, 2 në fshatin Keferye dhe 1 në qendër të qytetit Idlib.

Të plagosurit janë dërguar nëpër spitalet përreth, ndërsa ka shqetësime se numri i të vdekurve mund të rritet në rast se vazhdojnë sulmet.

Situata në Idlib 

Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana, u shpallën “4 zona të deeskalimit”, përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij (Latakia, Hama dhe Halep), pjesën veriore të qytetit Homs, Gutën Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.

Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë, duke shkelur armëpushimin, morën nën kontroll 3 zonat e tjera të mbetura nga 4 rajonet dhe u drejtuan drejt Idlibit. Në shtator 2018, Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën një marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin.

Forcat e regjimit dhe Rusisë në maj 2019 filluan operacionet për të marrë nën kontroll të gjithë rajonin dhe morën nën kontroll shumë zona në rajonin e deeskalimit Idlib.

Së fundmi Turqia dhe Rusia siguruan një marrëveshje të re më 5 mars 2020 në Moskë. Përkundër shkeljeve të kohëpaskohshme nga ana e forcave të regjimit, armëpushimi respektohet në masë të madhe. Në periudhën 2017-2020, rreth 2 milionë civilë u detyruan të migrojnë në afërsi të kufirit me Turqinë për shkak të sulmeve të Rusisë dhe forcave të regjimit.

AA