Në aplikacionin TEA ku gjenden atraksionet më interesante turistike, vizitorët mund të informohen edhe për eventet kulturore të Beratit.

Berati, margaritari i Shqipërisë Jugqendrore është një nga qytetet më të bukura dhe piktoreske të Shqipërisë, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Qyteti-muze bart vlera të rëndësishme historike, arkeologjike e turistike dhe spikat me ansamblin e tri lagjeve karakteristike Mangalem, Goricë e Kala.

I ngritur buzë luginës së Osumit dhe nën kodrinat dhe malin e Tomorit, Berati të magjeps me arkitekturën e tij bizantine dhe vizitohet nga mijëra turistë në çdo stinë të vitit.

Gjatë një vizite në Berat për të mos u humbur janë Kalaja e Beratit, një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, rrugicat me kalldrëm si dhe ura e Goricës. Në vijim të turit mund të vizitoni kishat e vjetra të ndërtuara në shekujt XIII-XIV si Shën Triadha, një xhevahir i arkitekturës sonë, ndërtesat me vlera të larta estetike e arkitekturore si teqeja e Helvetive, xhamia e Beqarëve apo xhamia Mbret, e shumë objekte të tjera, mes tyre Muzeun e Ikonave Onufri në lagjen Kala.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re