Skip to content

Në Turqi festohet me entuziazëm 109-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Në kryeqytetin e Turqise, Ankara, u zhvillua një pritje madhështore me një pjesëmarrje të gjerë me rastin e 109-vjetori i Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Me rastin e  109-vjetorit të Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë, me mirëpritjen e Ambasadorit të Shqipërisë në Ankara, Z. Kastriot Robo dhe bashkëshortes së tij, Znj. Teuta Robo, në një nga ambientet më prestigjioze të kryeqytetit të Turqisë, u mbajt një pritje madhështore me një numër të madh pjesëmarrësish.

Në këtë pritje, krahas Ministrit të Tregtisë së Turqisë, Mehmet Mus, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Gjeneralarmate ,Yasar Guler dhe stafit të lartë të ushtrisë turke, Ambasadorit të Kosovës në Ankara, Ilir Dugolli dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë diplomatikë në Ankara, morën pjesë edhe përfaqësuesit e shumë shoqatave shqiptare në qytete të ndryshme të Turqisë, komuniteti shqiptar i ardhur nga të katërta anët e Turqisë si dhe shumë studentë shqiptarë që kryejnë arsimin e lartë në këtë vend.

Në fjalën hapëse, Ambasadori Robo, duke përshëndetur gjithë të pranishmit, shprehu kënaqësinë për zhvillimin përsëri të një evenimenti kaq të madh pas një sërë ngjarjesh të hidhura të viteve të fundit si tërmeti në Shqipëri dhe pandemia e koronavirusit.

Ai nënvizoi lidhjet e forta ndërmjet dy vendeve dhe dëshirën për t’i forcuar ato edhe më shumë.

Edhe ministri i Tregtisë së Turqisë, Mehmet Mus në fjalën e tij uroi festën e Shqipërisë dhe nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve. Ai vuri në dukje lidhjet e ngushta historike dhe kulturore dhe nënvizoi se do të bëjnë ç’të jetë e mundur për të çuar edhe më përpara këto marrëdhënie.

Festa vijoi me vallet tradicionale nga grupi folklorik i të rinjve të ardhur nga qyteti i Bursas.

Komuniteti shqiptar i ardhur nga e gjithë Turqia në kryeqytet, i cili është gjithmonë i pranishëm në festa të tilla, ku ka mundësinë të takohet dhe të festojë së bashku, e ndezi festën duke kënduar njëzëri dhe duke hedhur valle të gjithë së bashku.

61a1e8447d922 61a1e694c4e90 turqi shqiperi

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë