Banorët e lagjes nr.17 në qytetin e Durrësit kanë protestuar ditën e sotme në lidhje me kanalin e ujërave të zeza, i cili kalon pranë banesave të tyre. Banorët shprehen të indinjuar nga situata për kamerën e Faxnews, pasi era e keqe dhe ndotja e ka bërë të zonën të pajetueshme dhe nuk mund të dalin nga banesat e tyre.
Një qytetar shprehet i indinjuar se ka qenë vetë kryeministri Rama, ai i cili u ka premtuar shtrimin e rrugës dhe pastrimin e kanalit brenda 6-muajve, por ata kanë 8 vite që presin dhe nuk ka ndodhur asgjë.
“Ne u qelbën këtu. I kemi dërguar mesazh edhe ministrit të Turizmit Blendi Klosi, dhe kryeministrit.
Kur ishte këtu kryeministri tha që do të rregullohej për 6 muaj, u bën 8 vite dhe akoma nuk është bërë asgjë.
Ne kërkojmë pastrim të fekaleve dhe pastaj mbulim”, tha një banorë i zonës.
Nga ana tjetër një banorë u shpreh i revoltuar se kanë 25 vjet që paguajnë taksa në mënyrë të rregullt dhe pushteti lokal dhe ai qendror nuk mund të pastrojnë 200 metra kanal dhe të shtrojnë rrugën.
“Nuk është hera e parë që ata vijnë bëjnë premtime. Ata filluan ta bënin dhe e lanë përgjysëm, shiko aty e kanë përfunduar, i kanë ndarë ca të nënës dhe ca të njerkës, shiko në këto 50 metra jetojnë 40 milje, të cilat paguajnë taksa.
25 vjet taksat tona, dhe nuk mund të bëhet kjo gjë. Ne nuk kërkojmë as punësim asgjë, ne kërkojmë vetëm 200 m kanal. Është turpi i zotit kjo gjendje në 2021-shin”, tha një prej banorëve të zonës.
…
/faxweb
