Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka folur në lidhje me pritshmëritë që ka qeveria për rritjen ekonomike në këtë vit që sapo kemi hyrë. Ibrahimaj tha se ekonomia shqiptare përgjatë vitit 2021 ka shënuar një rritje prej 8.6%.

Në një konferencë për media, ministrja Ibrahimaj renditi faktorët, që sipas saj, kanë çuar në këtë rritje ekonomie, mes të cilave janë rritja e të ardhurave dhe ulja e papunësisë.

Këta faktorë, por edhe të tjerë, siç theksoi ministrja e Financave, i janë rikthyer normalitetit si në vitin 2019, pas goditjes që morën nga viti i vështirë pandemik 2020. Sa i përket vitit 2022, ministrja foli për një rritje ekonomike te 4.1%.

Deklarata e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj:

Rritja ekonomike për 2021 parashikohet të jetë 8.6%. Niveli i lartë i rritjes ekonomike ka ardhur si pasojë e treguesve të ndryshëm makroekonomikë, që shoqërojnë rritjen ekonomike. Si fillim, dua të flas për të ardhurat, që kanë pasur një vijueshmëri dhe ecuri shumë të kënaqshme. Për vitin 2021 mendojmë se niveli i të ardhurave do të jetë rreth 506 miliardë lekë, duke e çuar treguesin e ecurisë ndaj PBB në 28.6%.

Synojmë që së shpejti të arrijmë në një nivel 30%. Në krahasim me vitin 2020, të ardhurat e këtij viti do të mbyllen me një rritje prej 21%. Nëse e krahasojmë me vitin 2019, të ardhurat janë rritur me 11%. Ky rezultat besojmë se ka ardhur i ndikuar nga ecuria e mirë e bizneseve, por i ndikuar edhe nga fiskalizimi, që është një proces që tashmë ka filluar, është në fazat e tij përfundimtare dhe ka filluar të japë efekte, sidomos në bizneset e mëdha.

Dua të ndalem te treguesit e punësimit, që gjithashtu kanë treguar ecuri shumë të mirë. Papunësia në tre-mujorin e tretë arriti në nivelet e vitit 2019, duke treguar se ekonomia është rigjallëruar. Më 2022 do të flasim për reforma ristrukturore, që do të çojnë më tej zhvillimin ekonomik. Dhe nga ana e pagave, kemi pasur ecuri të mirë, ku u rritën me 6.4% në tremujorin e tretë, në krahasim me vitin e mëparshëm. GDP për frymë pritet që më 2022 pritet të jetë në nivelin e 61 mijë lekë për frymë. I vetmi sektor që nuk ka pasur rritje të kënaqshme është ai i bujqësisë.

Në rritje kanë ardhur edhe investimet. Ne mendojmë se kjo rritje dhe perspektiva që na pret për 2022, rritja ekonomike do të vazhdojë, por jo në nivelet e vitit 2021, por planifikojmë të arrijmë një rritje ekonomike me rreth 4.1%. E besojmë fort këtë, pasi kemi ndërmarrë disa nisma të politikës fiskale, që do të sjellin një rritje të qëndrueshme. Gjatë 2022 MEF do të ndjekë një politikë fiskale të kujdesshme, duke synuar reduktimin e borxhit publik, që është në nivele shumë të larta. Më 2021 ai do të mbyllet me një nivel rreth 81.2%, ndërsa më 2022 ne parashikojmë të shkojë në rreth 78%”, u shpreh ministrja e Financave.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re