Një fushatë reklamuese ka nisur në fshatin San Giovanni Lippioni në Italinë qendrore në përpjekje për të inkurajuar të rinjtë të shpërngulen aty. Duke pasur një nga popullsitë më të vjetra në botë, vendi po sheh shumë zona të territorit të tij duke u plakur drejt mosekzistencës, pa shumë shpresa shpëtimi.

Në San Giovanni Lipioni ka lindur vetëm një fëmijë në vitin 2022, ndërsa në vitin 2023 popullsia e fshatit ishte vetëm 137 banorë. Deri vonë ajo ishte e njohur për kokën prej bronzi të shekullit III para Krishtit, e cila u zbulua në rrethinat e saj dhe kishte si atraksion kishën e Santa Maria delle Grazie me 200 shkallët e saj. Tani ai ka një tjetër markë, pasi është qyteti me popullsinë më të vjetër në Itali, me një moshë mesatare 65.5 vjeç.

Banorët përpiqen të mos heqin dorë nga lufta për të shpëtuar fshatin e tyre. Për të tërhequr banorë të rinj, fshati reklamon pikërisht atë që ka me bollëk: qetësinë. Dhe shtëpi autentike tradicionale me “tipare të ngrohta”. Në të njëjtën kohë, shoqata e banorëve po përpiqet t’ua shesë të huajve disa nga shtëpitë e shumta të pabanuara, në mënyrë që të paktën fshati të jetë më i gjallë në verë.

Megjithatë, shumë thonë se janë të zhgënjyer nga mënyra se si po shkojnë gjërat.

Nën statujat e shenjtorëve në sheshin e fshatit, Marisa Pavone, 32 vjeç, ushqen djalin e saj, Ettore, një nga dy fëmijët e lindur vitin e kaluar.

“Nuk është e lehtë për asnjë të ri të jetojë këtu. Të gjithë mërziten në një moment”, thotë ajo. Nevojat elementare të një familjeje të re nuk plotësohen. Një mjek pediatër viziton fshatin një herë në javë, ndërsa çerdhja më e afërt u mbyll pasi nuk mund të vazhdonte funksionimin me vetëm tre fëmijë.

Ajo shpresonte të kishte një jetë të lumtur duke bërë ëmbëlsira në dyqanin e saj, por në fund porositë e saj të vetme janë tortat e ditëlindjes nga shtëpia e të moshuarve fqinje. Që kur lindi djali i saj, kjo shpresë është zbehur gradualisht.

Ajo tani beson se e ardhmja më e mundshme për familjen e saj është të transferohet në Bolonjë për një fillim të ri. Kjo do të zvogëlojë numrin e fëmijëve me një të tretën dhe do të rrisë edhe më shumë moshën mesatare.

“Më vjen keq që largohem. Por nëse qëndroj këtu dhe investoj para, do të humbas. Ne humbëm. I gjithë fshati humbi”, tregon ajo. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re