Policia dhe Prokuroria kërkojnë ndihmën e Interpol për arrestimin në SHBA dhe ekstradimin e mjekut në Shqipëri. Vdekja e 25-vjeçares, Rexhina Debrova në muajin prill 2019, gjatë operacionit për lindjen e fëmijës, ka sjellë nxjerrjen e një urdhri për arrestimin e mjekut nga Elbasani, Ardjan Kadaifçiu.

Vendimi për arrestimin e këtij mjeku është marrë një ditë më parë nga prokurori i çështjes, Xhelian Seferi, i cili i ka kërkuar gjykatës së Elbasanit, caktimin e masës së “arrestit në burg” në mungesë, për mjekun që kishte ndjekur procesin e lindjes së 25-vjeçares Rexhina Debrova.

Kjo kërkesë është bazuar në një akt ekspertimi mjeko-ligjor të mbërritur në prokurori nga institute i mjekësisë, ku qartësohen nga ana teknike shkeljet e kryera nga doktori Kadaifçiu.

Nisur nga kjo situatë tashmë prokuroria e Elbasanin, e akuzon mjekun në fjalë për akuzën “Neglizhencës në trajtim mjekësor” me pasojë vdekjen e 25-vjeçares Rexhina Debrova, gjatë procesit të lindjes së fëmijës. Por pavarësisht se prokuroria, tashmë ka nxjerrë një urdhër-arresti për mjekun e Elbasanit, ky urdhër nuk mund të ekzekutohet nga policia lokale, pasi nga informacionet e mbledhura, mjeku është larguar në muajin gusht 2019 së bashku me familjen në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tashmë policia dhe prokuroria e Elbasanit i kanë kërkuar ndihmë zyrës së Interpolit me qëllim shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Ardjan Kadaifçiut,i cili nëse do të arrestohet në SHBA do të ekstradohet në Shqipëri, ku do i nënshtrohet procesit gjyqësor për akuzën e “Neglizhencës në trajtimin mjekësor” me pasojë vdekjen e Rexhina Debrovës, shkruan ‘shqiptarja’.

Në muajin prill 25-vjeçaria, Debrova humbi jetën teksa po lindte fëmijën e saj të parë. Vdekja e vajzës së re solli përkeqësimin e situatës, aq sa familjarët e vajzës dhe bashkëshorti i saj, deklaruan se do bënin vetëgjyqësi mbi mjekun dhe infermierin që kishte ndjekur gjendjen shëndetësore të pacientes Rexhina Debrova.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re