Negociatat intensive për gjetjen e një zgjidhjeje mbi emrin e Maqedonisë, po vazhdojnë ashtu sikurse u premtua në takimin e 17 janarit në Nju York, mes ndërmjetësuesit Methju Nimic dhe dy përfaqësuesve nga vendet përkatëse, ai maqedonas Vasko Naumovski dhe ai grek, Adamantios Vasilakis.
 
Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, po zhvillon sot takime me liderët kryesorë politikë në Athinë. Ai ka takuar kreun e partisë kryesore opozitare “Demokracia e Re”, Kiriakos Mitsotakis. Ndërsa dje Tsipras mbajti një takim ministror mbi këtë temë, dhe pastaj u zhvillua një takim me Presidentin grek, Prokopis Pavlopulos.
 
Ndërsa kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, po ashtu, sot në Shkup, zhvillon bisedime me liderët politikë, për të diskutuar  për çështjen e emrit.
 
Presidenti Gjorge Ivanov, Kryeministri Zoran Zaev, Ministri i Jashtëm Nikola Dimitrov, kreu i VMRO-DPMNE, Christian Mickoski dhe ai i BDI-së Ali Ahmeti do të marrin pjesë në takimin e sotëm i cili do zhvillohet në orën 18:00.
 
Ata do të konsultohen për strategjinë që do të paraqitet në takimet e javës së ardhshme.
 
Tre ditë më parë në Davos, kryeministrat e Greqisë dhe Maqedonisë mbajtën takimin e parë të përbashkët për të diskutuar problemin që Athina zyrtare ka me emrin kushtetues të Maqedonisë.
 
Të hënën dhe të martën Nimetz do të jetë në Athinë dhe të mërkurën e të enjten në Shkup. Ai pret që reagimet e udhëheqjes maqedonase dhe greke të jenë në paketën e propozimeve të tij.
 
Më 4 shkurt në Athinë njoftohet se do të mbahet sërish një protestë masive në të cilën motoja kryesore do të jetë “Maqedonia është greke”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re