Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë Gent Cakaj ka deklaruar se qeveria shqiptare ka përmbushur të gjitha detyrat që BE kërkon për hapje negociatash.

I ftuar në emisionin “Real Story” në “News24”, Cakaj tha se hapja e negociatave nuk është interes që i takon vetëm qeverisë, por të gjitha palëve, duke shtuar se ky është një proces që varet nga debatet e brendshme në BE.

“Ky është një proces që nuk varet më nga ana  e Shqipërisë, por është i varur mbi debatet e brendshme ne Bashkimit Europian. Sipas Macron pa një reformim të brendshëm të BE nuk ka negocim për shtimin e vendeve që vijnë nga jashtë. Nuk është ende një përgjigje pozitive. Unë jam realist për situatën dhe nuk jam këtu të kultivoj pritje të larta për publikun. Kancelarja Gjermane nuk ka hequr dorë për të bindur Francën. Ekziston mundësia për një po të kushtëzuar. Ne duhet të jemi realistë, sepse procesi nuk i takon Shqipërisë dhe as Ballkanit Perëndimor. Ne jemi me një situatë që nuk mund të përcaktojmë politikat e vendeve të Europës. Shumica e vendeve janë pro hapjes së negociatave. Propozimi për ndarjen me Maqedoninë e Veriut ka dështuar që në Luksemburg. Ne po trajtohemi në mënyrë të njëjtë. Kjo tregon se dy vendet kanë plotësuar kushtet”-tha Cakaj.

Pyetja: Është e rëndë psikologjikisht për popullin një tjetër refuzim?

Gent Cakaj: Ju po flisni sikur të jem i lumtur nëse nuk do të hapen negociatat. Jemi të lumtur për negociatat. Duhet të jemi të rezervuar për qëndrimin francez.

Ministrat e Jashtëm të BE janë mbledhur dje në Luksemburg për të përgatitur draftin me konkluzionet kryesore në axhendë për samitin e 17-18 Tetorit, ku do të vuloset edhe fati i Shqipërisë dhe Maqedonisë nëse do të hapen apo jo negociatat. Mbledhja e djeshme nuk ka pasur asnjë rezultat. Hahn tha se kundër janë 3 vende dhe po punohet me to.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re