Skip to content

Negociatat, kokëçarja për Ramën vjen nga Holanda

Kohë pas një qëndrimi kritik ndaj Shqipërisë, Holanda sërish ka shfaqur shenja pakënaqësie ndaj zhvillimeve shqiptare. Si fillim ishte një segment policor i këtij shteti që shfaqi idenë e kthimit të regjimit të vizave për Shqipërinë, i përkthyer si qëndrim i Amstedamit zyrtar nga opozita. Kjo, pasi sipas autoriteteve holandeze, shumë elementë kriminale po vinin nga Shqipëri.

E së fundi, në Tiranë ka mbërritur një ekip faktmbledhës nga Hollanda, që pas takimeve respektive, me kryeministrin Rama dhe kreun e opozitës Basha, nuk janë shprehur dhe aq entuziastë për hapjen e negociatave. Sipas tyre, “Shqipëria nuk është gati, pasi problem është ende mosndëshkimi i zyrtarëve”.

E nga ana tjetër, janë shprehur se “shqiptarët janë problematikë në Holandë”. Ka qenë pikërisht ky pretendim i kahershëm, përforcuar gjatë viteve të qeverisjes Rama, i cili është kundërshtuar fort nga ky i fundit, nganjëherë dhe me gjuhë të ashpër, karshi autoriteteve të Amsterdamit.