Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, është shprehur se mes Shqipërisë dhe Greqisë ka shumë çështje të vështira për t’u diskutuar, por negociatat për t’i zgjidhur këto probleme janë në rrugën e duhur.

 

Përmes një deklarate për mediat greke Tsipras ka theksuar se që Greqia të mbështesë hapjen e kapitujve për anëtarësimin e vendit fqinj, duhet që Shqipëria të përmbushë një sërë angazhimesh.

 

“Negociatat po zhvillohen nga dy Ministrat e Jashtëm, janë çështje të vështira, por negociatat ndodhen në një nivel të mirë. Është e qartë se që të mbështesë Greqia hapjen e kapitujve për anëtarësimin e vendit fqinj, duhet që Shqipëria të përmbushë një sërë angazhimesh. Shumë nga këto angazhime ekzistojnë prej kohësh, që nga viti 2009. “

 

Ndër të tjera ai ka theksuar synimi i negociatave është për zonat detare, ndryshimin e teksteve shkollore, varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri. Dhe sigurisht, një çështje shumë e rëndësishme e reformave janë ato në lidhje me të drejtat e minoritetit grek.

 

Ndër të tjera kryeministri grek deklaroi se çështja çame nuk ekziston, ndërsa ka kritikuar edhe zërat në vendin e vet që sipas tij bisedimet për mirëmbajtjen e piramidave në kufi, i kanë interpretuar si ripërcaktim të kufijve ndërmjet të dy vendeve.

 

Gjithashtu shefi i qeverisë greke ka thënë se Greqia po lëviz me një strategji të qartë të zgjidhjes së problemeve, jo tërheqje nga vijat kryesore kombëtare, por zgjidhje të problemeve.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re