Ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok, në një intervistë për median holandeze, thotë se Maqedonia e Veriut ka bërë hapa më të mëdhenj se Shqipëria.

“Këto vende vijnë te unë çdo muaj dhe më pyesin: Stef, a mund ta bëjmë tani hapin tjetër? Dhe unë u them: fillimisht rezultatet, pastaj hapin tjetër.

Ky është një mësim që e kemi nxjerrë nga aderimet e shpejta në të shkuarën. Anëtarësimi i shpejtë pa ndonjë rezultat të dukshëm çon në rezultate si në Hungari, Poloni, etj.

Por Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë qartësisht hapa më të mëdhenj se Shqipëria”.

I pyetur nëse kjo nënkupton që do ketë një lajm të mirë për Maqedoninë e Veriut dhe një lajm të keq për Shqipërinë, ministri tha: “Nuk mund ta parashikoj këtë. Holanda nuk është i vetmi vend që e ka këtë diskutim”.

A do të duhen të paktën dhjetë vjet përpara se të vijë zgjerimi i parë i BE?

“Po, mund të zgjasë dhjetë vjet. Por kjo varet vërtet nga hapat konkretë që do ndërmarrin vendet. Është në duart e tyre.  Ky është edhe lajmi i mirë”, tha ministri.

Ndërkohë që një deputet gjerman, Metin Hakverdi, i cili do të vizitojë Shqipërinë, thotë se kushtet gjermane mund të hapin rrugën që edhe Holanda të mbështesë këtë vendim.

“Unë nuk mendoj se ishte “JO”. Dje në Hagë u mblodh “Komisioni për çështjet europiane” i parlamentit holandez. Ka qenë një takim këshillues i përgatitur më parë.

Nuk u dha “Jo” e qartë, por palët nuk kanë qenë të unifikuara në vendimin e tyre.

Ministri holandez i Jashtëm, nuk ka dhënë përgjigje të qartë për qëndrimin që mban qeveria holandeze.

Që do të thotë se duhet të presim çfarë vendimi do të marrë qeveria. Siç thashë, vendimi i marrë nga Gjermania mund të ndihmojë vendet e tjera, sepse kushtet e vëna mund t’i hapin rrugën Holandës që të marrë vendimin “Po me kushte”,” tha ai për Dojçe Velen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re