Kryeministri Edi Rama është nisur drejt Brukselit, aty ku në harkun dyditor (17-18 tetor) do të mbahet mbledhja vendimtare e Këshillit Evropian në lidhje me hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në një komunikim filmik të ndarë me ndjekësit në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, Rama është shprehur se nuk ndihet as pesimist dhe as optimist përsa i përket vendimit, por tha theksuar se për momentin Franca nuk ndan qëndrim të njëjtë me Gjermaninë, që është pro nisjes së kushtëzuar të bisedimeve Shqipëri-Bruksel.

“Sot kancelarja gjermane dhe Presidenti i Francës do të takohen këtu në Tuluze, në kuadër të samitit franko-gjerman të dy qeverive. Një nga temat do të jetë edhe vendimmarrja e Këshillit Europian, ku do të mbahet edhe qëndrimi përfundimtar i BE-së lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kancelarja Merkel dhe Gjermania po përpiqen intesivisht për një po për të dyja vendet, ndërkohë që qëndrimi i Presidentit Macron dhe Francës nuk përkon për momentin për të paktën me atë të Gjermanisë dhe shumicës dërmuese të vendeve anëtare. Nuk jam as optimist, as pesimist për rezultatin e këtij procesi por po bëhet maksimumi për të marrë një po. Tani po nisem në Bruksel, jam bashkë me Zaevin për të takuar kryeministrat socialistë dhe progresistë të BE-së, në një format të krijuar enkas nga Partia Socialiste europiane, ku do të ketë edhe diskutime, do të shpejt një komunikim sërish.”- tha Rama rrugës drejt Brukselit.

Vizita e shefit të qeverisë në Bruksel, vjen pas një takimi që ai ka zhvilluar në orën 10:00 të paradites së sotme, me ambasadorin gjerman në Tiranë, Peter Zingraf. Më 17 – 18 tetor, krerët e qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të mblidhen dhe do të diskutojnë për një sërë çështjesh, duke nisur që nga lufta në Siri dhe përplasja me presidentin turk, Rexhep Tayip Erdogan, e deri tek skepticizmi i disa vendeve për avancimin e politikës së zgjerimit.

Franca, Holanda, Danimarka dhe Finlanda janë disa nga vendet që janë skeptike ndaj zgjerimit, dhe mendojnë se dy vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë ende gati. Në mbledhjen e zhvilluar dje, ku morën pjesë ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, nuk u arrit dot një dakordësi për të pranuar nisjen e bisedimeve për Tiranën dhe Shkupin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re