Teksa na ndajnë dhe pak ditë nga mbledhja vendimtare e Këshillit Evropian (17-18 tetor), Parlamenti holandez nuk ka ndryshuar qëndrimin refuzues ndaj çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Edhe pas diskutimeve në seancën plenare të ditës së djeshme, qeveria holandeze vijon ta cilësojë nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë si një hap si të parakohshëm. Ndonëse, Holanda vlerëson hapat e ndërmarrë, thekson se nevojitet më shumë punë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gazetari holandez, Rainier Jaarsma, ekspert i çështjeve të Ballkanit, i cili e ka mbuluar prej vjetësh perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, si dy prej vendeve kandidate që janë në pritje të marrjes së dritës së gjelbër për avancimin e afrimit me BE-në, ka komentuar hap pas hapi punimet e djeshme të legjislativit.

Teksa ndan fragmentet kryesore nga debate mes parlamentarëve mbi fillimin e mundshëm të negociatave të pranimit, Jaarsma shkruan se si bilanc i qëndrimeve të mbajtura, ka një lajm të mirë për Shkupin, ndërsa një lajm i keq për Tiranën.

Në lidhje me Shqipërinë, Jaansem shkruan se ministri i Jashtëm, Stef Blok ka vërejtur se vendimi i Bundestag-ut për Shqipërinë është i ngjashëm me qëndrimin holandez, por megjithatë mbetet i ndryshëm.

Në këtë kuptim, qeveria holandeze është e hapur për të ndjekur pozicionin e Bundestagut për Maqedoninë e Veriut, por nuk dëshiron të shkojë aq larg sa të fillojë negociatat me Shqipërinë.

Në interpretimin e Jaarsma, pozicioni i Gjermanisë është i rëndësishëm për holandezët, pasi imponoi kushte shtesë për Shqipërinë përpara Konferencës së parë të aderimit dhe hapjes së çdo kapitulli të “acquies communitaire”.

Ndërsa përsa i përket Maqedonisë së Veriut, Jaarsma vë në dukje se Holanda pajtohet me vlerësimin e Komisionit Evropian se janë ndërmarrë shumë hapa pozitivë, por thekson nevojën për të miratuar ligjin për SPO (Policinë Speciale), duke mos e etiketuar këtë si një kërkesë të vështirë.

Më tej, Jaarsma i ka kushtuar rëndësi kundërshtimit të partisë së majtë (socialistët) dhe ekstremit të djathtë (PVV), që kërkojnë që bisedimet e negociatave të mos fillojnë me asnjërën nga të dyja vendet, duke dashur të penalizojnë Maqedoninë për rastin “zhvatja” të zbuluar së fundmi. Ndërkohë, të gjelbrit dëshirojnë të ndjekin vendimin e Bundestagut.

Në konkluzion, gazetari shkruan se Holanda vështirë se do të zbusë qëndrimin e ashpër për Maqedoninë e Veriut, duke treguar gatishmërinë për heqjen e kushteve të mëparshme. (Blok fajëson mos adoptimin e ligjit për SPO-në).

Aq më keq paraqitet pozita e vendit tonë, mbi të cilin Holanda nuk pajtohet me aprovimin e kushtëzuar gjerman dhe insiston në një “jo” të fortë.

Megjithatë, vendimi final i qeverisë holandeze pritet të merret pasi votës së Francës më 15 tetor në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Unionit.

Ndërkohë, rryma të nëndheshme informimi thonë se një “po” franceze do ta ndryshonte qëndrimin e prerë të ekzekutivit holandez, që në atë rast do të unifikonte qëndrimin me dy shtetet kryesore të BE-së në votën e krerëve të shteteve të vendeve anëtare më 18 tetor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re