Dy zyrtarë të IKMT në Berat janë arrestuar për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Ndaj dy inspektorëve të Mjedisit dhe Pyjeve pranë IKMT, Gjykata e Shkallës së Parë në Berat ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg.

Vendimi vjen pas një hetimi dy vjeçar nga Prokuroria e Beratit. Policia njofton se nga veprimet e kryera gjatë hetimit dyshohet se këta shtetas, me veprime ose mosveprime, kanë favorizuar shtetas dhe subjekte të ndryshme të ushtronin veprimtaritë e tyre në kundërshtim me ligjin.

Njoftimi i policisë:

Ekzekutohen 2 masa sigurie “Arrest në burg”, të caktuara ndaj 2 shtetasve që ushtronin funksione publike, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas një hetimi 2-vjeçar me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për goditjen e paligjshmërive që kryhen nga personat që ushtrojnë funksione publike, kanë bërë ekzekutimin e 2 masave sigurie “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, ndaj shtetasve:

-E. B., 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor i Mjedisit dhe Pyjeve pranë IKMT Berat, pasi dyshohet se ka konsumuar elemente të veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që kryejnë funksione publike;

-A. D., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor i Mjedisit dhe Pyjeve pranë IKMT Berat, pasi dyshohet se ka konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga veprimet e kryera gjatë periudhës hetimore dyshohet se këta shtetas, me veprime ose mosveprime, kanë favorizuar shtetas dhe subjekte të ndryshme të ushtronin veprimtaritë e tyre në kundërshtim me ligjin.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re