Ende nuk dihet vendndodhja e fëmijës 3-vjeçar që u mor nga gjyshërit e tij, të cilët refuzojnë t’ia kthejnë të ëmës.

23-vjeçarja Ille Gjuni, bashkëshorti i së cilës ka humbur jetë në një aksident me makinë rreth 1 vit më parë, ka denoncuar vjehrrit e saj në policinë e Durrësit, duke i akuzuar se i kanë marrë të birin dhe refuzojnë që t’ia kthejnë.

Sipas, uniformave blu është ushtruar kontroll në banesën e Rexhep Gjunit, gjyshit të 3-vjeçarit nga ana e babait, por nuk e kanë gjetur ende.

I mitur rezulton i zhdukur prej katër ditësh ndërsa ndaj 60 vjeçarit ka nisur procedimi penal.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. Gj., 60 vjeç, pasi më datë 13.04.2024, në këtë komisariat, është paraqitur një shtetase 23 vjeçe, banuese në Durrës, e cila ka kallëzuar se vjehrri i saj, shtetasi R. Gj., ka marrë fëmijën e saj 3 vjeç dhe nuk ia ka kthyer më.

Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit R. Gj., por nuk e kanë gjetur fëmijën. Vijojnë kontrollet intesive për gjetjen e tij.

Për ecurinë e kërkimeve dhe të veprimeve hetimore për këtë rast do të ketë njoftime të tjera në vijim.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re