Skip to content

Nëna e Leas tregon gjendjen shëndetësore të vogëlushes: Ndërhyrja e parë shkoi me sukses

Këtë mbrëmje në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” përcollëm momentet thellësisht prekëse të largimit të Leas për kurim drejt Italisë.

Shumë lot u derdhën për këtë vajzë veçse 20 muajshe, e prekur nga kanceri në shtyllën kurrizore. Në një lidhje live, nëna e Leas na tregoi se ëngjëlli i vogël është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se tashmë e ka kryer një ndërhyrje, pasi në kokë i ishte mbledhur ujë.

Fatmirësisht ndërhyrja ka shkuar mirë ndërsa rrugëtimit drejt shërimit do të vijojë.

Pjesë nga biseda në studio:

Xhenisa: Falë Zotit është mirë. Kur erdhëm, i bënë ndërhyrje në kokë për heqjen e ujit nga koka. Menjëherë i bënë ndërhyrjen e i hoqën ujin. Për momentin ka tuba që i nxjerrin ujin dhe po reagon mirë këto dy ditë.

Eneida: Duhet pritur ende për të monitoruar situatën…?

Xhenisa: Po duhet të presim derisa gjendja e Leas në kokë të stabilizohet. Të bëjmë analizat, rezonancën e më tutje të shohim.

Në studion e “Shqiptarët për Shqiptarët” ishte prezent dhe Armando, bashkëshorti e Xhenisës e babai i Leas së vogël. I prekur teksa sheh të bijën, ai tha këto fjalë:

Armando: Shpresoj Zotit, të bëhet mirë… të jenë mirë të dyja.

Elvisi: Motër, rri e qetë. Neve na ke si vëllezërit e motrat e tua. Nesër do të vijë dhe Armando për t’ju takuar ty e vajzën.

Rrëfimi i babai të Leas: Si e zbuluam sëmundjen e vajzës

Në studion e emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” ishte i pranishëm Armando, babai i Leas, vogëlushes së prekur nga kanceri në shtyllën kurrizore. Ai tregoi për publikun momentet kur mësuan lajmin e kobshëm.

Armando: Para se të kalojmë tek sëmundja, do doja të tregoja sesi ishte Lea. Ishte një fëmijë shumë aktiv, buzëqeshte, ecte lëvizte shumë në shtëpi… deri para afro tre javësh, kur doli që kishte këtë sëmundje. Kur morëm vesh që kishte sëmundjen, aty ndryshoi komplet bota jonë. Nuk dinim më çfarë të bënim, se ku t’ja mbanim.

Eneida: Ishte një vizitë rutinë apo…?

Armando: Kishim filluar të kuptonim se kishte diçka. Vajza nuk reagonte më. Kur morëm vesh lajmin, aty nuk mundëm dot më pastaj.

Elvisi: E tmerrshme…

Armando: Po, shumë… shumë e rëndë qe.

Elvisi: Tani që edhe ne jemi përfshirë, çdokujt prej nesh, të marrin një lajm të tillë… shumë thonë sa i fortë je, sepse të të vijë një lajm i tillë, tronditesh.

Amando tregoi se forcën e gjeti mes shqiptarëve, fondacionit Firdeus e mesazheve të shumta të mbështetjes që ka marrë. Shqiptarët bamirës bënë të mundur brenda një kohe rekord, dërgimin e Leas për kurim në Itali.

Armando: Forcën e gjeta mes jush këtu, mes gjithë shqiptarëve. Një telefonatë më erdhin pasdite e më thanë që ishin nga Fondacioni FIRDEUS. Unë isha i zhytur në errësirë e sikur më erdhi një dritë.