Etlira jetonte me bashkëjetuesin prej afro 1 muaji në këtë godinë në Elbasan. Kishin marrë një dhomë me qira në katin e dytë.

Por në orët e para të kësaj të shtune, Etlira, 37 vjeçe, do të mbyllte sytë përgjithmonë. Vdekja e saj erdhi nga duart e bashkëjetuesit, Ramisit. Ky i fundit e qëlloi bashkëjetuesen disa herë me thikë, duke ia marrë jetën e më pas u largua.

37 vjeçari, Ramisi, ende nuk është kapur nga autoritetet.

Etlira ishte nënë e një fëmije dhe vetë punonte në një fast food. Ajo kujdesej për fëmijën por prej disa ditësh e kishte dërguar tek i ati, për shkak të një episodi të dhunës me bashkëjetuesin. Disa ditë para ngjarjes tragjike, Etlira kishte denoncuar në polici Ramisin për ushtrim të dhunës. Kishte mundur të merrte një urdhër mbrojtje, por as kjo nuk e ndali 37 vjeçarin.

Pronari i banesës ku ata kishin hyrë me qira, e kishte ndihmuar 37 vjeçaren, duke i dhënë një dhomë tjetër për të qëndruar larg bashkëjetuesit. As kjo nuk e ndali bashkëjetuesin, që të kryente vrasjen. Ramisi dyshohet të kishte qenë xheloz për 37 vjeçaren, një pistë e cila mbetet ende për t’u vërtetuar në kohën kur 37 vjeçari të bjerë në pranga e të rrëfejë për krimin.

Ndërkohë pronari i banesës, foli për median se ai dhe e shoqja ishin në gjumë në momentin kur ka ndodhur vrasja. E shoqja e pronarit të banesës ka mundur të dëgjojë 37 vjeçarin të përplasë derën e më pas ta shohë teksa largohej nga godina.

“U grinë të dy, por pa e ditur neve sesi. Rrinin të dy këtu në kat të dytë, një muaj kishin. Erdhën në një grindje të vogël. Ajo shkoi në polici, denoncoi. Policia erdhi këtu, para 4-5 ditësh. Ne nuk e pamë se çfarë i kishte bërë ai. Ajo iku që aty, unë i lirova një dhomë këtu poshtë. Ajo punonte në privat, kurse ai nuk e di ku punonte. Një muaj qëndruan.

Ne nuk e dimë nëse kanë patur konflikte më përpara. Episodi i parë ishte që shkoi në polici dhe ajo na thoshte që kishte urdhër mbrojtje. Mbrëmë, nga ora 1 pa 10 e mëngjesit, ai kishte dalë, kishte përplasur derën. Gruaja ime e pa që doli ai jashtë. Si përfundim unë zbrita poshtë. Atje ishte dera hapur, shikova dhe pashë gruan, ajo kishte rënë, kishte mbaruar. Në 1 pa 10 ka dalë ai që kishte ikur.

Ja këtu ishte shtrirë në tokë, dhoma ishte mbushur gjithë gjak. Vajza e saj nuk ishte këtu, kishte shkuar tek i ati.”-shpjegoi pronari i shtëpisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re