Në kuadër të vizitës së presidentit të SHBA-ve Donald Trump në Kinë, u nënshkrua marrëveshja në vlerë prej 9 miliardë dollarësh mes këtyre dy shteteve.
Në ceremoninë e nënshkrimit në Sallën e Madhe Popullore, e cila ndodhet në sheshin “Tienanmen” të kryeqytetit të Kinës, Pekin, ku të pranishëm ishin Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross dhe Zv/kryeministri i Kinës Vang Yang, u nënshkruan 19 marrëveshje në vlerë prej 9 miliardë dollarësh.
Gjatë fjalimit të tij në këtë ceremoni, Vang tha se këto marrëveshje do të kontribuojnë në sigurimin e balancës në marrëdhëniet tregtare mes këtyre dy vendeve, duke shtuar se ky është vetëm fillimi.
Sekretari amerikan i Tregtisë, Ross tha se jobalanca në tregun dypalësh mes SHBA-ve dhe Kinës është tema qendrore e diskutimeve të liderëve të të dyja shteteve. Ai shtoi se sigurimi i trajtimit të drejtë është qëllim i përbashkët i kompanive të të dy shteteve.
Nuk ka informacione të hollësishme mbi marrëveshjet të cilat përfshijnë gazin natyror dhe sojën, shkruan aa. Në kuadër të turneut të tij 13 ditor në Azi, çifti Trump përfundoi vizitat e tij në Japoni dhe Korenë e Jugut dhe sot ndodhet në Kinë, ku do të darkojë me liderin e Kinës Xi dhe bashkëshorten e tij Ping.
Nesër në Sallën e Madhe Popullore në sheshin “Tienanmen” do të organizohet ceremonia zyrtare për pritjen e Trumpit. Pas kësaj ceremonie të dy liderët do të kenë takime.
Trump në kuadër të vizitës së tij në Kinë shoqërohet nga përfaqësues të 29 kompanive, 11 prej të cilëve janë nga fusha energjetike. //.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re