Nënvarianti BA.2 i Omicron është më ngjitës dhe më i aftë se çdo variant tjetër Covid për t’iu shmangur mbrojtjes së vaksinave, por njerëzit e vaksinuar nuk e transmetojnë atë aq lehtë sa të pavaksinuarit, sipas një studimi në Danimarkë të botuar të dielën.

Studimi zbuloi se nënvarianti i ri, i cili është bërë shumë shpejt dominues në Danimarkë, u përhap më lehtë te të gjitha grupet, pavarësisht gjinisë, moshës, madhësisë së familjes dhe statusit të vaksinimit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, probabiliteti që varianti BA.2 të përhapej brenda një familjeje ishte 39% krahasuar me 29% të variantit BA.1, varianti origjinal i Omicron që ishte dominues në mbarë botën që nga 19 janari.

Ky studim i udhëhequr nga një ekip shkencëtarësh në Universitetin e Kopenhagenit dhe në Ministrinë e Shëndetësisë të Danimarkës nuk është rishikuar ende nga shkencëtarët e tjerë. Për shkak të natyrës urgjente të pandemisë, studiuesit kanë publikuar gjetjet e tyre përpara se ato të ekzaminohen nga ekspertë të tjerë të fushës.

BA.2 është më ngjitës se varianti origjinal BA.1, si tek personat e vaksinuar, ashtu edhe te të pavaksinuarit, por rritja relative e vulnerabilitetit ndaj infektimit ishte dukshëm më e lartë tek individët e vaksinuar sesa tek ata të pavaksinuar. Kjo tregon se ky nënvariant është edhe më i aftë për t’iu shmangur mbrojtjes së ofruar nga vaksinat se sa varianti BA.1, i cili ishte më ngjitës se çdo variant tjetër Covid, sipas këtij studimi.

Shkalla e transmetimit te të pavaksinuarit ishte më e lartë për variantin BA.2 krahasuar me atë BA.1, duke treguar se njerëzit e pavaksinuar mbartin një ngarkesë virale më të lartë me BA.2. Studiuesit zbuluan se megjithëse personat e vaksinuar plotësisht kanë më shumë gjasa të infektohen me BA.2 se sa nga variantet e kaluara, ata kanë më pak mundësi që ta përhapin virusin te të tjerët.

Njerëzit që morën një dozë përforcuese kishin akoma më pak gjasa për ta transmetuar virusin krahasuar me ata që kanë bërë vetëm dy dozat e para.

“Kjo tregon që edhe pse të vaksinuarit mund të infektohen, vaksina mbron nga transmetimi i mëtejshëm i virusit, sidomos për variantin BA.2,” zbuluan shkencëtarët.

Studimi gjithashtu vuri në dukje se vulnerabiliteti më i lartë ndaj infektimit dhe transmetueshmëria më e madhe e BA.2 ka të ngjarë të sjellë përhapje më të gjerë të virusit te fëmijët e pavaksinuar në shkolla dhe në çerdhe.

Fatmirësisht, infektimet me variantin BA.2 të Covid përgjithësisht shfaqin simptoma më të lehta se infektimet me variantin Delta, thanë shkencëtarët, duke shtuar se vaksinat ndihmojnë në mbrojtjen kundër sëmundjes së rëndë dhe shtrimit në spital. /Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re