Skip to content

Neonazistë para gjykatës së Dresdenit, do i “nxinin jetën” Gjermanisë

thumbs b c e543aacacff0dcc7cdc3465f066d5f03

Tetë anëtarë të grupit të ekstremit të djathtë “Revolucioni Chemnitz” dolën sot në gjyq me akuzat për komplot dhe sulme terroriste në Gjermani.

Të dyshuarit neo-nazistë, të moshës midis 21 dhe 32 vjeç, u paraqitën në gjykatën rajonale të Dresdenit, për herë të parë që nga arrestimi i tyre vitin e kaluar.

Zëdhënësi i gjykatës Gesine Tews u tha gazetarëve se tetë burra u akuzuan për krijimin e një grupi të ekstremit të djathtë, planifikimin e sulmeve kundër të huajve dhe rivalëve politikë, dhe se ndaj tyre rëndojnë edhe akuza për sigurimin e armëve nën pretekstin e “rrëzimit të rendit kushtetues demokratik.

Komunikimet e brendshme të grupit kishin zbuluar se ata planifikonin një sulm terrorist në Berlin më 3 tetor, gjatë festimeve të “Ditës së Unitetit Gjerman”.

Ata u arrestuan në shtator të vitit të kaluar në shtetin gjerman lindor të Chemnitz, vend që njihet si fole e partive dhe grupeve të ekstremit të djathtë.