30 vite nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit ku u rrëzua komunizmi është koha për një reflektim për vendimet që janë marrë ndër vite dhe çfarë mund të ishte bërë më mirë. Mbrëmjen e sotme në emisionin “Log” në “ABC” të drejtuar nga Endri Xhafo, Neritan Ceka, që ka mbajtur disa poste të rëndësishme ka një peng.

Në vitin 1991 ish-nënkryetari i PD, Neritan Ceka akuzoi kryetarin e partisë së tij Sali Berishën se përdori metoda antidemokratike për rrëzimin e qeverisë së stabilitetit që kryesohej nga Ylli Bufi. Asokohe Berisha shkoi me Cekën te Ramiz Alia, por kur ish-kreu i PAD-së filloi të lexonte këtë deklaratë, ish-kryeministri u ngrit dhe doli nga zyra e liderit të fundit komunist. Një veprim të tillë, Ceka tashmë shumë vite më pas e cilësoi si një gafë.

“Unë do të them edhe njëherë, që të jemi të qartë historikisht, është një lloj vetëdjegie. Ajo që bëra unë, po të kisha përvojën e tanishme, ose që fitova, nuk do ta kisha bërë në asnjë mënyrë, ishte një, nuk do ta quaja gafë, por në atë historinë e idealizmit tonë, ishte emocionale, ishte një hap i gabuar. Edhe largimi i mocionistëve nuk ka qenë shumë, pavarësisht gjendjes që u krijua në PD.

Por asnjëherë deri në atë kohë, largimi im i dha një shans kësaj rryme që nuk ekziston më në PD. Ishte ajo bërthama e fortë irracionale, që rrinte te oborri, kur ishte punët mirë dhe zhdukeshin nga oborri, nuk kam parë asnjë prej tyre në shkurtin e ashpër, u zhdukën të gjithë ata trima, por ishin baza e ekstremizmit të PD-së dhe largimi edhe i mocionistëve i dha mundësinë gjithë asaj katastrofe që ndodhi në 26 maj PD-së” tha Ceka.

Neritan Ceka deklaroi dorëheqjen duke premtuar se do të largohej përfundimisht nga politika, por në fakt e kundërta ndodhi, pasi u kthye pak muaj më pas në krye të një partie të re, PAD, duke qëndruar aktiv në politikë 20 vitet që pasuan.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re