Neritan Ceka, një nga themeluesit e Partisë Demokratike, në një intervistë në emisionin “Debat” në A2 CNN, ka folur për krizën që ka përfshirë partinë më të madhe opozitare në vend.

Ceka është shprehur se kemi të bëjmë me krizë të sistemit, i cili sipas tij, është një restaurim i sistemit të përmbysur, por më i keq se ai. Neritan Ceka shkon edhe më tej, kur thotë se PD është ndërtuar gabim që në fillim, duke u kthyer në modelin e Partisë së Punës.

“Ajo që po ndodh në PD, duke e parë me gjakftohtësinë e njeriut që sheh nga 2 mijë e ca vjet më përpara, është shenjë e një krize politike jo të një partie, por e sistemit politik që është bazuar te partia autoritare, pa demokraci të brendshme, janë kthyer në pronë të kryetarëve dhe të një rrethi të ngushtë njerëzit, pavarësisht se financohen nga shteti.

Jemi në krizën e një sistemi, i cili në esencën e tij është një restaurim i sistemit që kemi përmbysur. Ky është më i keq se ai.

Kjo nuk është vetëm te PD, por edhe te partitë më të vogla. U ndërtua gabim që në fillim. Kur ne ndërtuam PD-në, pati njëlloj hapësirë dhe më pas u kthyem në modelin e Partisë së Punës, me një kryetar autoritar, i cili papritur u bë një person mbi njerëzor”, u shpreh Ceka.

Ai sulmoi edhe Sali Berishën.

“Sali Berisha mbolli këtë farë dhe tani po korr farën që ka mbjellë. Keq më vjet ta them këtë, sidomos në një situatë kur ai po lufton për dinjitetin dhe në këtë drejtim e mbështes plotësisht, ka të drejtë”, tha Ceka.

Ai propozon një reformë të thellë politike të të gjithë sistemit. “Së pari, partia është pjesë e shtetit dhe duhet t’u bindet ligjeve të shtetit, financiare dhe të karrierës. Nuk mund të shkosh në Partinë Demokratike, apo në PS dhe të bëhesh ministër pa kaluar shkallët”.

Me ligjin aktual, për Neritan Cekën është e kotë që të ketë disa parti opozitare. Sipas tij, të gjitha partitë e vogla duhet të bashkohen në një të vetme.

“Kurrë nuk e kam menduar këtë punë. E gjithë opozita, me këtë ligj, është e kotë të luajë rolin që ka Parti Republikane, Parti Agrare. Këto parti më mirë mbylli fare. Ky është një ligj i imponuar, negativ deri në thellësinë e tij. Unë mendoj se ka nevojë për dy parti, të modelit Amerikan”, tha Ceka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re