Drejtori i OBSH për Europën, Dr. Hans Kluge, në një konferencë të përbashkët me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se “Covid-19 nuk është grip i zakonshëm” dhe shtoi se “duhet të kujdesemi për grupet në nevojë, përfshirë të moshuarit”.

“I shpreh mirënjohjen qeverisë për përgjigjen e shpejtë dhe vendimtare ndaj pandemisë. Ishte nga të paktat vende që nuk përjetoi një valë të parë.

Që nga janari, qeveria ka ngritur mekanizma të strukturuar dhe ka shtuar përpjekjet e saj për të përballuar krizën. I vlerësojmë përpjekjet e Shqipërisë për të rritur testimin dhe kapacitetet gjurmuese. Duhet të mbështesim procesin e izolimit dhe karantinimit”, tha Dr. Kluge.

“Njerëzit po lodhen prej masave kufizuese sepse është një krizë që po zgjat. Duhet të kuptojmë se çfarë i pengon ata grupe personash që nuk i respektojnë masat”, shtoi Drejtori i OBSH për Europën.

Drejtori i OBSH për Europën Hans Kluge ka veçuar disa nga pikat e marrëveshjes që nënshkruhet sot mes OBSH dhe Shqipërisë. Ai tha se kjo marrëveshje do të përfshijë mbështetjen për shëndetin mendor, digjitalizimin, imunizimin.

Kluge tha se të parët që do të marrin vaksinën kundër koronavirusit do të jenë të moshuarit dhe mjekët.

Ai theksoi se nëse do ishin mbajtur maskat dhe distanca sociale që prej fillimit të pandemisë do ishin shpëtuar 260 mijë jetë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re