Skip to content

“Nëse do ishin shmangur lëshimet, fëmija do ishte në shkollë sot”, Nikolla për vrasjen makabër në Fier: Krimineli kishte marrë dënim përkëdhelës

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka reaguar për vrasjen makabër në Fier ku krimineli Klodian Calamani, vrau dhe groposi një fëmijë 8 vjeçar.

Në reagimin e saj, Nikolla vë theksin tek lëshimet që i janë bërë autorit të ngjarjes në të kaluarën pasi nuk ishte hera e parë që ai përfshohej në ngjarje të tilla. Kryetarja e legjislativit tha se nëse nuk do të ishin dhënë dënime aq të lehta ndaj tij në të kaluarën, vogëlushi 8-vjeçar do të ishte ende gjallë me shokët e tij në shkollë.

“Dje Shqipëria humbi një fëmijë, një engjëll të vogël tetëvjeçar. Krimi i tmerrshëm ndodhi në Fier. Pas këtij krimi qëndron një histori lëshimesh dhe një zinxhir përgjegjësish. Nëse ato do të ishin shmangur, Mateo sot do të ishte në shkollë, me shokët dhe shoqet e tij. Krimineli ka dhunuar edhe më parë dhe për një krim të rëndë ka marrë një dënim përkëdhelës. Të gjithë duhet të nxjerrim mësime nga kjo që ndodhi dhe autori i këtij krimi barbar duhet të marrë ndëshkimin maksimal. Shoqëria dhe komunitetet duhet gjithashtu të reflektojnë. Krimet ndodhin para syve edhe për shkak të mungesës së vëmendjes dhe reagimit tonë.
E kam të vështirë të gjej një fjalë ngushëlluese për prindët dhe familjarët e Mateos. Asgjë nuk lehtëson dhimbjen e padurueshme të tyre.
U prehsh në paqe, engjëll!”
, shkruan në reagimin e saj Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.

në Facebook, klikoni Join Group

/faxweb