Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, përmes një postimi në facebook, ka komentuar reagimin e kryeministrit Rama ndaj akuzave për çështjen e detit. Manjani shprehet se deklarimi i Ramës se Greqia është në të drejtën e saj për t’u zgjeruar nuk qëndron, pasi nëse do të ishte kështu atëherë pse do t’i duhej kryeministrit atëherë të denonconte Berishën në 2009.
Manjani thekson se Rama në përgjigjen e tij fyen shqiptarët me një fjalor ofendues, dhe nuk përdor asnjë fjalë të tillë kundrejt serbëve dhe grekëve, çka tregon se ai është i dhjeri në këtë histori.
Edi Rama insiston se “Greqia ka të drejtë” dhe se “zgjerimi i saj me 12 milje është e drejtë e saj”. Ai na informon se në 1990 e paskemi bërë dhe ne këtë gjë që po bën Greqia sot.
Po e lëmë mënjanë dhe fjalorin tejet fyes dhe të pa vend për Shqiptarët që e kritikojnë dhe i kërkojnë hesap. Po e lemë mënjanë, jo se nuk e meriton ti përvishesh mbrapsht, por fakt është se ai është i dhjeri përderisa gjen fjalë fyese vetëm për Shqiptarët dhe asnjë fjalë të tillë as për grekët e as serbët.
Po mirë, kur paska qenë kaq e kollajtë kjo punë, pra “Greqia qënka në të drejtën e vet”, përse Edi Rama denoncoi negociatat që bëri qeveria Berisha me ta?
Përse u ankua në Gjykatën Kushtetuese?! Përse Saliu ishte tradhëtari, që negocioi?!
Përse Grekët nuk u zgjeruan që atëherë, por e lanë për tani?!
Përse nuk na i tha që para 10 viteve këto gjëra që na i thotë sot, pasi më parë ja ka thënë në vesh Grekëve?!
Nëse ata që kritikojnë sot e i kërkojnë llogari na qenkan “llum e injorantë”, po Ai vetë që ka bërë gjithë atë gurgule ishte njësoj llum?! Apo e përdori për të mashtruar njerëzit për vota?!
Sido ta rrotullosh nuk del dot nga gropa e llumit ku ka rënë.
/faxweb
