Duhet të kemi shumë kujdes nga ushqimet që zgjedhim, sidomos nëse
flitet për perimet apo frutat! Disa video të fshehta të realizuara nga
“Fiks Fare” zbulojnë bisedat me fermerët, të cilët pranojnë hapur se
domatet, kastravecët apo shalqinjtë janë të rritur me hormone dhe janë
aq të rrezikshme, sa ata vetë nuk i konsumojnë.

Në një vëzhgim në Lushnje, Fier, Kuçovë dhe Berat, nga ku furnizohemi
me fruta-perime, gazetarët e “Fiksit” zbuluan se domateve dhe
kastravecëve iu injektoheshin hormone për t’i nxjerrë sa më parë në
treg.

Një punonjës sere në Lushnje, zbuloi se bima e shalqirit mund të
vilej brenda 10 orëve me anë të ndërthurjeve të disa hormoneve bashkë,
të cilat vinin nga Greqia. Në ujin vaditës ishin përzier hormon për
rritje, hormon për pjekje dhe një hormon për zbukurim dhe gjatë natës
ishte shtuar edhe hormoni për mosprishjen e kokrrës gjatë transportit.
Punonjësi tregon se brenda 10 orëve nga pjekja e shalqirit, për një ditë
u bënë 23 tonë shalqinj.

Fermerët apo shitësit u pyetën nëse për perimet dhe futat përdoreshin
hormone dhe nëse i konsumonin ata. Përgjigjet e tyre ishin këto:

Shitësja në Fier: “Nuk fus në shtëpi as kastravec, as domate. Nuk ia
vlejnë, pasi fermerët abuzojnë duke u hedhur 4-fishin e normës.
Kastravecit ia hedhin ilaçin te rrënja dhe është shumë i dëmshëm për
organizmin”.

Fermeri në Kuçovë: “Nëse i do për fëmijë, mos merr. Nuk bëjnë, ose vetëm t’i sëmurësh me duart e tua”.

“Unë jam fshatar vetë, por kam frikë t’i ha. Filloj e ha nga fundi i majit kur ngrohet koha dhe piqen natyralisht”.

Një tjetër fermer pohon se këto hormone i bëjnë keq organizmit të
njeriut dhe fermerët me papërgjegjshmërinë e tyre po sëmurin
njëri-tjetrin, madje ai shton “po u shpiket kanceri njerëzve”.

Burimi: fiks fare/ top channel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re