Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u takuan sot në Ankara, në kuadër të Këshillit të 6-të Suprem të Bashkëpunimit, ku theksuan dialogun, stabilitetin dhe bashkëpunimin pragmatik si bazë për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Takimi mes dy udhëheqësve zgjati rreth një orë e gjysmë.

Kryeministri grek theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve turke në Greqi dhe atyre greke në Turqi, si pjesë e një modeli më të gjerë bashkëpunimi rajonal, duke nënvizuar se të dy vendet mund të kontribuojnë së bashku në stabilitetin e një rajoni të sfiduar nga kriza të shumta.

Mitsotakis ftoi presidentin Erdogan të vizitojë Athinën për mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit dhe deklaroi se është “koha për të hequr çdo kërcënim nga marrëdhëniet tona”, duke shtuar: “Nëse jo tani, kur?”

Duke përsëritur qëndrimin e Athinës, Mitsotakis theksoi se e vetmja mosmarrëveshje mes dy vendeve lidhet me përcaktimin e kufijve detarë, çështje që, sipas tij, mund t’i referohet gjykimit ndërkombëtar mbi bazën e së Drejtës së Detit.

Nga ana e tij, presidenti Erdogan deklaroi se mosmarrëveshjet në Egje dhe në Mesdheun Lindor, “ndonëse komplekse, nuk janë të pazgjidhshme nëse ekziston vullneti për dialog”.

Ai theksoi planet për rritjen e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik, si dhe pritshmëritë për bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Erdogan përmendi gjithashtu çështjet që lidhen me pakicën myslimane në Trakinë Perëndimore.

Presidenti turk shtoi se pjesëmarrja e Turqisë në nismat evropiane të mbrojtjes “i shërben interesave të përbashkëta” dhe theksoi se të dy vendet duhet të mbajnë të hapura kanalet e dialogut.

Takimi i mëparshëm zyrtar mes Mitsotakis dhe Erdogan ishte zhvilluar 17 muaj më parë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re