Avokati Adriatik Lapaj, një prej nismëtarëve të protestës së pasdites së sotme kundërr rritjes së çmimeve, në një intervistë për Fax News, iu ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të reagojnë dhe të dalin në shesh.

Lapaj tha se secili prej nesh duhet të bëjë llogaritë e ekonomisë familjare, dhe të protestojë kundër rritjes së çmimeve në mënyrë spekulante.

“Kjo është një protestë që lidhet me nevojën e qytetarëve të këtij vendi, për të siguruar jetesën e përditshme. Rritja e çmimeve ka qenë e jashtëzakonshme, ekonomitë tona familjare nuk e përballojnë dot këtë rritje çmimi.

Në një litër karburant, shteti merr 130 lekë për litër, nga 260, jemi shteti me taksat më të larta për karburantin në Europë, e ndoshta edhe në botë, gjë që nuk ndodh në vendet fqinje. Nga 8 taksa që janë vendosur brenda çmimit të naftës, 3 prej tyre janë koncensione.

Jo të gjitha karburantet e kishin të lidhur zorrën me Gjirin Persik, duhet që autoriteti i konkurencës të ndërhyjë, pasi çmimi nuk mund të rritet njësoj brenda ditës, nëse jemi në luftë jemi të gjithë në luftë, ministrat nuk mund të bredhin lart e poshtë me makinat e shtetit, për të lyer flokët.

Duhet ndërhyrë te çmimi i taksimit, nuk mund të përfitojë shteti me spekulantët, çmimin në bursë nuk e caktojmë ne, por ama mund të përcaktojmë detyrimin tatimor dhe barrën fiskale, ideja është që të mbajmë motorrin e ekonomisë të ndezur.

Nëse u del llogaria njerëzve të mos dalin në protestë, unë do të dal për veten time dhe për vajzën time. Numrat e vendosin këtë histori, të rrinë në kafe shqiptarët, nuk kam siklet numrash, se nuk po garoj për ndonjë post publik, kujt nuk i del llogaria në fund muajit të mos dalë”, tha Lapaj.

Protesta do të nisë në orën 17:00 përpara kryeministrisë.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re