Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, duke komentuar protestën e së martës (19 nëntor) para Kuvendit, në ditën që miratohet ‘Buxheti 2025’, është shprehur se betejën nuk e bëjnë për sy e faqe, por sepse mendojnë se është e duhura.
Gjekmarkaj tha në studion e News24 se në protestë do të jenë dhe pensionistët. Ai deklaroi se pensionistët meritojnë dinjitetet dhe është momenti që ata të protestojnë për djersën e mohuar.
“PD ka bërë apelin, ka iniciuar thirrjen, sepse ne po e bëjmë betejën jo për sy e faqe, jo për hipokrizi. Secili ka prind dhe ata meritojnë të jetojnë me dinjitet. PD po e bën këtë betejë sepse mendon se është e duhura. Nëse ka dinjitet pensionisti, ka dinjitet familja dhe shoqëria.
Jam i bindur që pensionistët nuk e bëjnë për PD-në. Nuk është momenti të shohin partinë, por të protestojnë për një djersë të mohuar. Nuk marrin atë që u takon. Paratë që duhet t’i marrin ata i marrin oligarkët dhe korrupsioni”, tha deputeti demokrat.
Ndër të tjera, ai u pyet nga gazetarja Nisida Tufa sesi do ta vijojë opozita aksionin. Në përgjigje, Gjekmarkaj tha se ka varieteti i formave është i shumtë, por sipas tij angazhimi duhet më shumë qytetar sesa politik, duke iu referuar situatës në të cilën ndodhet vendi.
“Varieteti i formave është i shumtë. Nuk do ta rreshtim për asnjë çast përpjekjen tonë për ti dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqipëria është një vend që zien sepse sundohet nga padrejtësia, i rrezikohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Administrata është bërë një me pushtetin. Situata e tillë kërkon më shumë angazhim qytetar sesa politik”, tha Gjekmarkaj.