Deklaratave mbi mënyrën e menaxhimit të pandemisë i është shtuar dhe një perlë e thënë nga kryeministri i mandatuar i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç. Ai deklaroi publikisht se masat anti-Covid janë të panevojshme nëse qytetarët janë fetarë, besojnë në Zot.
Sipas Krivokapiç besimi në zot është ai që tund malet dhe jo masat e kota që skanë asnjë vlerë,
“Nëse keni fe, nuk keni asnjë problem, nuk do të infektoheni nga kungimi”, ka thënë ai. I pyetur nëse masat kundër pandemisë së koronavirusit janë ta palogjikshme nëse ka fe, ai tha “natyrisht”.
Portali i njohur “CDM” i ka quajtur këto deklarata të rrezikshme, derisa gazeta “Vijesti” i ka quajtur skandaloze. Edhe partitë politikë e kanë kritikuar për këtë qasje ndaj pandemisë.
“Retorika që kryeministri i caktuar Zdravko Krivokapiç demonstroi publikisht mbrëmë, duke folur për fenë dhe koronavirusin, është skandaloze dhe e rrezikshme. Mandatari tha në emisionin Naisto TV Vijesti se ai e kapërceu koronavirusin në këmbë, dhe pas kësaj ai deklaroi: “Nëse keni besim te feja, nuk keni asnjë problem, nuk do të infektoheni me kungimin me të njëjtën lugë me besimtarët e tjerë””, shkruan CDM.
Në Malin e Zi kohët e fundit është rritur së tepërmi numri i të prekurve me koronavirus. Deri më tash, në këtë vend me pak mbi 600 mijë banorë, janë regjistruar mbi 25 mijë raste pozitive dhe 364 raste të vdekjes.
Zdravko Krivokapiç ndërkohë është pjesë e partisë proserbe, “Demokracia e Re Serbe” dhe në zgjedhjet e fundit ishte lider i koalicionit fitues “Për të ardhmen e Malit të Zi”. Partia e tij është e lidhur ngushtë me Kishën serbe në Mal të Zi.