Ish-kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko, është shprehur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet në një presion shumë të madh, pasi sipas tij, bandat në Veri provokojnë shqiptarët.

Komentet Majko i bëri në emisionin “Open” në News24, ku tha gjithashtu se nëse Kosova do të hynte në luftë me Serbinë, atëherë sipas tij, edhe Shqipëria do ta bënte një gjë të tillë.

Sipas tij, serbët edhe kur i kanë vrarë shqiptarët, kanë thënë se viktima janë ata.

“Albin Kurti është rritur nën presion dhe ka ditur të dalë me sukses. Ka dalë nga burgu me sukses dhe ka krijuar një forcë politike nga fillimi. Albin Kurti shkëlqen kur është nën presion, por çështja është që momenti, detajet, rrethanat do ti vendosë Kosova dhe askush tjetër. Kërkohet që marrëdhënia shqiptaro-serbe të ketë ulje tensioni. Serbët do të provokojnë, gjithmonë kanë provokuar.

Edhe kur na kanë vrarë kanë thënë viktimat jemi ne. Ata që ne i konsiderojmë miq të mos mendojmë se helmi i sjelljes serbe në rajon, na ka hyrë edhe në gjak. Albin Kurti për momentin nuk ka bërë gabime të jashtëzakonshme, është në presion shumë të madh për t’u përballur me bandat. Historia që po zhvillohet në Kosovë është në dukje serbe por gjërat janë më të thella. Është e paimagjinushme që një qeveri që ka ushtarë të NATO-s atje, të shtrohet pyetja nëse do të na fusni në luftë të paktën na thoni.

Nëse Kosova do të hyjë në luftë, sado të mërzitur të jenë Rama me Kurtin një gjë është e padiskutueshme Shqipëria do të shkojë pas saj. Ka një profil diskutimi sikur Shqipëria e ka lënë pas Kosovës, mendoj që Ramën duhet të kuptojnë ashtu siç është, tradhtitë nuk bëhen me shprehje publike, ruhuni nga ata që nuk flasin, jo Ramës që gjysmat i ka me humor”, tha ndër të tjera ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re