Liderja e së djathtës franceze, Marine Le Pen, premtoi se nëse fiton zgjedhjet presidenciale, do të tërheqë forcat e armatosura nga komanda e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), raporton RIA Novosti.

Le Pen theksoi se ajo nuk do të transferonte trupat franceze në komandën e kombinuar të Aleancës dhe as nuk do të ishte në dispozicion të komandës së ardhshme evropiane.

Sipas saj, Franca nuk do t’i nënshtrohet protektoratit amerikan. Ajo shtoi se mbështet idenë e afrimit me Rusinë.

“Kur të përfundojë lufta në Ukrainë dhe të vendoset paqja, unë do të avokoj për një afrim strategjik midis NATO-s dhe Rusisë. Kjo është në interes të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara”, tha ajo.

Ajo gjithashtu tha se nuk dëshironte që Franca të largohej nga Bashkimi Evropian dhe shtoi se do të respektonte Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimatike, raporton Reuters.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë u mbajt më 10 prill. Presidenti aktual Emmanuel Macron fitoi 27.84 për qind dhe Marin Le Pen 23.15 për qind.

Raundi i dytë i zgjedhjeve është më 24 prill.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re