Shpesh kemi parë, (ose edhe jemi bërë edhe vete pjesë), njerëz që ndalojnë në rrugë apo autostrada për të bërë foto.

Por tashmë policia e Kosovës ka ardhur me një njoftim të rëndësishëm, ku lajmëron se nëse ndaloni në autostradën “Arbën Xhaferi”, një atraktsion turistik, do të gjobiteni.

Shoferë e udhëtarë që kalojnë nëpër këtë urë, shpesh ndalen e bëjnë fotografi, gjë që po konsiderohet e rrezikshme dhe që ka bërë që policia të vij me këtë masë shtrënguese.

Siç njofton policia, disa qytetarë në autostradën ‘Arbër Xhaferi’, konkretisht në urën mbi lumin Lepenc, për kuriozitet dhe për shkak të bukurive që ofron kjo urë ndalojnë me automjetet e tyre në shiritat emergjentë dhe zbresin nga automjetet, ku në shumë raste bëjnë edhe fotografime të ndryshme. Ky veprim është bërë edhe në grupe, me çka konsiderohet se është rrezikuar siguria e tyre dhe e pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

“Policia me qëllim të shtimit të sigurisë në autostradë, gjatë tri javëve të shkuara ka shqiptuar gjithsej 33 tiketa në këtë lokacion: 28 tiketa ndaj shoferëve për ndalje në autostradë dhe pesë tiketa për lëvizjen e këmbësorëve në autostradë”, thuhet në njoftim.Po ashtu, Policia e Kosovës ka edhe një apel për udhëtarët.

“Policia e Kosovës apelon dhe kërkon nga qytetarët në përgjithësi dhe drejtuesit e automjeteve në veçanti, që të respektojnë rregullat e trafikut rrugor, me theks të veçantë të mos bëjnë shkelje të rregullave të qarkullimit në autostradë, sepse po rrezikojnë jetën e tyre dhe të tjerëve. Policia do të ndëshkojë të gjithë ata që bëjnë shkelje të tilla”, thuhet në njoftim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re