Përafërsisht 90,000 ushtarë do të marrin pjesë në stërvitjen e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) “Steadfast Defender 2024”, më e madhja në dekadat e fundit, e cila do të fillojë javën e ardhshme dhe do të zgjasë deri në maj, njoftoi Komandanti i Përgjithshëm i forcave të NATO-s për Evropën, Reuters.

 “Aleanca do të demonstrojë aftësinë e saj për të forcuar zonat euro-atlantike me lëvizjen transatlantike të forcave nga Amerika e Veriut”, u tha gjenerali amerikan gazetarëve në Bruksel pas një takimi dy-ditor të shefave të mbrojtjes.

Trupat ushtarake që do të marrin pjesë në stërvitje, sipas Cavolit, do të jenë nga 31 shtete anëtare të NATO-s dhe Suedia.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe njoftoi se 20 mijë pjesëtarë të Ushtrisë Britanike në të gjithë Evropën do të marrin pjesë në stërvitjen e madhe të NATO-s që do të shënojë 75-vjetorin e Aleancës.

Mediat britanike, duke iu referuar qeverisë, bëjnë të ditur se në manovra do të marrin pjesë dy aeroplanmbajtëse të reja të Marinës Mbretërore, tetë anije luftarake dhe një avion luftarak F-35 i Forcave Ajrore Mbretërore (RAF), të cilët do të praktikojnë fluturime në konflikt të imagjinuar.

Gjermania planifikon të dërgojë 12,000 ushtarë, 3,000 automjete dhe 30 avionë. Agjencia dpa shkruan se stërvitja do të simulojë një sulm rus në territorin e NATO-s, që është një skenar që do të nxiste nenin 5, i cili i detyron anëtarët të përgjigjen nëse njëri prej tyre sulmohet.

Stërvitja më e madhe e NATO-s që nga Lufta e Ftohtë u zhvillua në vitin 2018, kur 51,000 ushtarë morën pjesë në manovrat “Trident Juncture 2018” në Norvegji.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re