Teksa në kufirin lindor mes Polonisë e Bjellorusisë, kriza e emigrantëve vijon të mbetet shqetësim serioz, dhjetëra njerëz të tjerë, tentojnë të arrijnë drejt BE-së për një jetë më të mirë për veten, fëmijët, familjen.

Njëlloj si rasti i këtij çifti të rinjsh, të cilët së bashku me të bijën 2 vjeçe tentojnë të kalojnë kufirin nga Bosnja drejt Kroacisë.

Akram dhe Zahra janë nga Afganistani dhe orvatja e tyre për të hyrë në BE ka qenë një odise tentativash. Ata kanë tentuar plot 39 herë të hyjnë në Kroaci, shtet anëtar i BE-së, por deri më tani asnjëherë nuk kanë mundur të kalojnë pa u rikthyer sërish në pikën e fillimit, pasi autoritetet i kanë dëbuar.

Kjo është hera e 40-të që ata tentuan të kalojnë kufirin e pranë tyre në Bosnje, shkoi një ekip xhirimi i BBC-së dhe korrespondenti Fergal Keane.

Ora është 5 e mëngjesit dhe Akrah e Zahra së bashku me vajzën, po bëhen gati në tentativën e 40-të për të kaluar kufirin.

“Nëse vajza zgjohet, ajo do të nisë të qajë, njerëzit që jetojnë afër kufirit do të marrin në telefon policinë”-tregon Akrami.

Çifti i ri vjen nga Afganistani. Akrami punonte si inxhinier në një stacion televiziv, ndërsa e shoqja punonte si oficere e policisë. Zahra e lindi të bijën 2 vjeçe në Greqi. Pas një qëndrimi të gjatë atje, çiftit iu refuzua e drejta për azil. Zahra u largua nga Afganistani që në vitin 2016, pas kërcënimeve për shkak të detyrës.

“Ne jemi ilegalë në të gjithë botën… çfarë duhet të bëjmë?”-tregon gruaja.

Për shkak se Greqia i ka refuzuar azilin familjes nga Afganistani, të njëjtën gjë mund të bëjë Kroacia, pavarësisht se është e detyruar që të kontrollojë jetën dhe historinë e tyre. Por sipas tyre, oficerët e policisë kroate thjesht i kanë dëbuar, madje në një rast edhe dhunuar fizikisht Akramin e Zahran.

“Ata erdhën dhe goditën tim shoq… u thashë pse po e godisni? Më tutje erdhën dhe më goditën dhe mua, më thanë mbylle gojën”-tregon Zahra.

Tashmë familja së bashku me grupin e xhirimit të BBC-së nisen drejt tentativës së 40-të të Akramit e Zahrës për të kaluar kufirin. Grupi i BBC e ndjek familjen deri në afërsi të kufirit me Kroacinë, aty ku më tutje nuk është më e lejuar të kalojë.

Akram merr vajzën në qafë, përvesh pantallonat dhe hyn në ujë për të kaluar një lumë pranë kufirit mes Bosnjes e Kroacisë.

“Sapo kaluan kufirin, tashmë ndodhen në Kroaci. Por kam dyshime sesa ata do të mund të qëndrojnë atje. Janë një grup familjarësh, lëvizin ngadalë. Njërëzit i shohin dhe i raportojnë tek policia, kjo nëse policia nuk i ka parë ende vetë”-tregoi gazetari i BBC.

“Jemi në Kroaci tani.”-tregoi Akrami, duke i dërguar një video grupit të xhirimit të BBC-së… por edhe hera e 40 e tentativës për të kaluar kufirin dështoi. Policia erdhi dhe i deportoi sërish.

“Duhet të provojmë sërish… sa herë që policia na deporton, i themi vetes “mirë nuk ka problem, do ta provojmë herën tjetër”-tregon Zahra.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re