Ndërsa pritet që ditën e nesërme partitë që do të marrin pjesë në zgjedhje të dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit, një paralajmërim i fundit vjen nga ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Në një postim të gjatë në Twitter, Kim kujton që kandidatët duhet të jenë të pastër, ndërsa kujtoi se shqetësimi më i madh i votuesve shqiptarë është “korrupsioni, mungesa e transparencës dhe pandëshkueshmëria, të cilat kërcënojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre.”

“Listat e paraqitura nga partitë nesër do të na tregojnë nëse Udhëheqësit shqiptarë e kanë kuptuar mesazhin nga SHBA, nëse ata janë të përkushtuar për anëtarësimin në BE”- shkruan ndër të tjera ambasadorja Kim.

Ajo thekson se drejtuesit e partive do të jenë përgjegjës për kandidatët që do të paraqesin.

Postimi i plotë:

Nesër është afati i fundit që partitë të paraqesin listat e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit. SHBA ka qenë jashtëzakonisht e qartë në lidhje me përgjegjësinë e udhëheqësve për të siguruar kandidatë të pastër, duke përfshirë respektimin e ligjeve shqiptare dhe emërtimet nga Sekretari Amerikan i Shtetit.

Votuesit shqiptarë nga të gjitha sferat e jetës më thonë se shqetësimi i tyre më i madh është se korrupsioni, mungesa e transparencës dhe pandëshkueshmëria kërcënojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre. Listat e paraqitura nga partitë nesër do të na tregojnë nëse Udhëheqësit shqiptarë e kanë kuptuar mesazhin nga SHBA, nëse ata janë të përkushtuar për anëtarësimin në BE dhe nëse janë të gatshëm të marrin vendime të vështira të nevojshme për një të ardhme më demokratike dhe të prosperuar për Shqipërinë. Ne presim që krerët e partive të demonstrojnë lidershipin e vërtetë.

Ne do t’i bëjmë përgjegjës drejtuesit e partive. Ne gjithashtu do të mbështesim fuqimisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ndërsa shqyrton dorëzimin e listave të kandidatëve, e cila është një detyrë që duhet të ndërmerret para së gjithash në emër të votuesve shqiptarë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re