Bizneset që i shtohen listës së lejuar për të punuar janë parukerite, berberët, klinikat dentare dhe dyqanet në brendësi të qendrave tregtare. Nga e hëna i rikthehen aktivitetit ekonomik, pas thuajse dy muaj pezullim. Si edhe me bizneset e tjera të vogla do të ndiqet i njëjti regjim.

Ato do t’u shërbejnë klientëve deri në orën pesë e gjysmë të pasdites, një kufizim jo në favor të rimëkëmbjes së tyre ekonomike për arsyen se gjatë orarit të lejuar, në pjesën më të madhe qytetarët janë në punë.

Nga autoritetet shëndetësore nga këto biznese e veçanërisht parukerite, berberët dhe klinikat dentare, ku prekja e klientit është e pashmangshme, kërkohet me domosdoshmëri mbajta e maskave, dorezave dhe higjienizuesve të nivelit profesional.

Në të gjitha rastet e trajtimeve, veshjet, peshqirët dhe letrat mbështjellëse të vendeve ku kryhen shërbimet duhet të jenë një përdorimshe.Ndërsa mjetet e punës të sterilizohen pas çdo shërbimi.

Përgjegjshmëri kërkohet edhe nga qytetarët që nuk duhet t’i neglizhojnë elementët mbrojtës por duhet t’ua kërkojnë t’i përmbushin edhe këtyre bizneseve, që për të kursyer i anashkalojnë ato. Është e ndaluar krijimi i radhëve apo qëndrimi i disa personave në pritje brenda të njëjtit mjedis.

Nga e Hëna, të riatdhesuarit do të vetëizolohen për 14 ditë në shtëpi, duke shmangur kështu shpenzime të tjera të panevojshme nëpër hotelet që u përcaktuan fillimisht nga qeveria për të izoluar të gjitha ata shqiptarë që vinin nga jashtë.

Në pritje për t’u hapur janë lokalet dhe restorantet, edhe këto vetëm në ambientet e jashtme pas 18 majit. Ende nuk ka një vendim se çfarë do të bëhet me turizmin, një nga sektorët jetik të ekonomisë së vendit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re