Skip to content

Nesër mbledhja e Këshillit Bashkiakë, socialistët pritet të shkarkojnë Erion Veliaj

Anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës do të mblidhen ditën e nesërme në selinë e PS. Takimi pritet të mbahet në orën 17:00.

Në mbledhjen e këshilltarëve bashkiakë socialistë pritet të flitet mbi procedurat për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Disa ditë më parë, në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama iu kërkoi anëtarëve socialistë që të shkarkonin Veliaj, i cili prej datës 10 shkurt të këtij viti ndodhet nën masën e arrestit me burg nga SPAK, pasi akuzohet për korrupsion.

Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi atë ditë se Veliaj duhet që të shkarkohet, në mënyrë që të hapet rruga për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Tiranë.

Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga peronat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të  kundërligjshme.