Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, foli në konferencë për shtyp, në prag të miqësores me Izraelin.
Mbrojtësi kuqezi u shpreh se skuadra është gati për këtë cikël të ri me trajnerin Rolando Maran, duke shtuar se pavarësisht se kanë pasur pak ditë për përgatitje, idetë janë të qarta.
“Nuk ishte e thjeshtë në ndeshjen e fundit, pasi vinim pas një humbjeje, ku humbëm objektivin. Duke parë rrugëtimin ishim të bindur se mund të arrinim Botërorin. Një fillim i ri tani. Me një staf të ri. Grupi është pothuajse i njëjti me disa lojtarë të rinj. Jemi stërvitur mirë dhe mendoj se jemi gati për këtë cikël të ri.
Nuk është e thjeshtë. Kemi pak ditë bashkë. Idetë janë të qarta. Me pak kohë që kemi pasur, kemi parë gjërat që trajneri dëshiron në këtë cikël të ri. Sa më shumë kohë kalon, më mirë bëhet.
Nuk besoj se është filozofi italiane. Çdo trajner i ka idetë e tij. Si Silvinjo, edhe Maran ka idetë e tij.
Shpresoj të luaj edhe disa vite. Aq sa trupi dhe grupi të jetë për nivele të larta.
Me trajnerin e ri, taktika ndryshon, po ashtu edhe pozicioni në fushë. Nuk është e lehtë që të ndryshosh në dy ditë, por gjërat e rëndësishme në fushë i kemi parë dhe kjo është e rëndësishme”, deklaroi Gjimshiti.
Shqipëri-Izrael luhet nesër në “Air Albania”, duke nisur nga ora 20:00.



