E hëna rikthen në auditorë studentët. Në ndryshim nga i kaluari, viti i ri akademik nis me protesta nga pedagogët që kërkojnë paga më të larta.

 

Në ditën e parë nga ora 8 deri në 10 profesorët e universiteteve publike do të prezantohen me studentet. Më pas deri në orën 12 ata do të vazhdojnë protestën e nisur javë më parë dhe do tu shpjegojnë studentëve dhe arsyet e bojkotit të tyre.

 

Është menduar që pedagogët në të gjithë vendin do të protestojnë në mjediset para fakulteteve ku japin mësim. Pritet që atyre tu bashkohen edhe studentë.

 

Nga sindikatat dhe profesorët e universiteteve në vend është paralajmëruar se do të protestohet çdo ditë deri në plotësimin e 9 kërkesave të peticionit të tyre.

 

Në javën e parë të tetorit kur pedagogët nisën protestat  qeveria vendosi rritjen e pagave me 15 për qind, ku 7 për qind mbështetet nga buxheti i shtetit ndërsa pjesa tjetër nga vetë universitetet.

 

Kjo rritje u kundërshtua nga pedagogët. Ata kërkojnë jo vetëm rritje të pagës me 50 për qind por edhe vlerësime për vjetërsinë në punë mbi 15 vjet,  rritje të financimit për kërkimin shkencor, rivlerësim të orës mësimore leksion e seminar, apo rishikim të tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës shtesë.

 

Peticioni i nënshkruar nga mbi 80 për qind e pedagogëve në të gjithë vendin i është dërguar qeverisë prej një muaji. Nëse ato nuk gjejnë miratim, profesorët deklarojnë se do të vazhdojnë të protestojnë për atë që e quajnë rikthimin e dinjitetit të profesoratit dhe universiteteve ku pagat bazë janë në kufijtë e mbijetesës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re