Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka njoftuar se deputetët e PD-së do të marrin pjesë nesër në seancën plenare për të kundërshtuar projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën fiskale.
Në një reagim publik, Bardhi e cilëson buxhetin si vijim të politikave 14-vjeçare të qeverisë Rama, të cilat sipas tij favorizojnë korrupsionin, thellojnë pabarazinë dhe rëndojnë ekonominë e qytetarëve.
Bardhi thekson se opozita do të paraqesë edhe alternativën e saj për përdorimin e fondeve publike, duke kërkuar më shumë mbështetje për pensionistët, familjet në nevojë dhe shtresën e mesme.
Ndër prioritetet e kërkuara nga PD janë investimet në arsim dhe rini, mbështetja për biznesin e vogël dhe profesionistët e lirë, si dhe rritja e fondeve për shëndetësinë dhe furnizimin me barna.
Sipas Bardhit, qeveria duhet të dëgjojë edhe kërkesat e qytetarëve, të të rinjve dhe studentëve që kanë protestuar, ndërsa opozita do t’i përfaqësojë këto shqetësime në seancën parlamentare.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Nesër, Kuvendi i Shqipërisë do të shqyrtojë në parim projektbuxhetin për vitin 2027 dhe paketën fiskale, duke vijuar një traditë 14-vjeçare të politikave buxhetore që favorizojnë korrupsionin, thellojnë pabarazinë dhe rëndojnë ekonominë e qytetarëve.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të jetë nesër në seancën plenare për të shprehur qartë kundërshtimin ndaj këtij buxheti dhe paketës fiskale, por edhe për të paraqitur alternativën tonë se si paratë e qytetarëve duhet të përdoren në funksion të interesit publik dhe përmirësimit të jetës së tyre.
Qeveria e Edi Ramës duhet të kishte dëgjuar zërin e qytetarëve, të të rinjve dhe studentëve që protestojnë. Në vend të një buxheti që nuk u përgjigjet nevojave reale të shoqërisë, vendi ka nevojë për:
– Mbështetje konkrete për shtresën e mesme, familjet në nevojë dhe pensionistët.
– Investime për rininë dhe arsimin, si prioritete kombëtare.
– Politika që nxisin punësimin dhe mbështesin biznesin e vogël dhe profesionistët e lirë.
– Më shumë fonde për shëndetësinë, furnizimin me barna dhe përmirësimin e shërbimeve në spitale.
Nesër, në Kuvend, opozita do të përfaqësojë zërin e qytetarëve, të rinjve dhe studentëve që kërkojnë më shumë mundësi, më shumë drejtësi sociale dhe një të ardhme më të mirë.
Paratë e qytetarëve duhet të shërbejnë për qytetarët, jo për interesat e një pakice.
