Në një mbledhje maratonë, prej më shumë se 4 orësh, Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit vendosi këtë të hënë me 6 vota pro, miratimin e kërkesës së SPAK për t’i dhënë leje për arrestimin e Sali Berishës.

Pas 5 votave të socialistëve dhe 1 e Enkelejd Alibeajt, kjo kërkesë do të kalojë për votim ditën e enjte në Kuvend, ku do të jetë edhe akti i fundit në këtë institucion për ashpërsimin e masës së sigurisë së Berishës, nga detyrim paraqitje në arrest me burg ose arrest shtëpie.

Lexo edhe :Related Posts

Për raportin që doli nga Këshilli që autorizon Kuvendin të lejojë arrestimin e ish-kryeministrit, duhen të paktën 71 vota. Mazhoranca qeverisëse i ka e vetme këto vota, pasi në zgjedhjet e fundit të 25 prillit 2021 arriti të siguronte 74 mandate.

Tashmë, duket se SPAK e ka rrugën e hapur për t’iu drejtuar GJKKO-së për të caktuar njërën nga masat e sigurisë, atë të arrestit me burg apo të arrestit në shtëpi.

Ndonëse për shkak të moshës, Berisha mund të përjashtohet nga arresti me burg, prokurori i çështjes Arben Kraja bëri të ditur në mbledhjen e Këshillit se gjykatës do i drejtohen për të dyja masat e më pas do të jetë në dorën e kësaj të fundit se çfarë do të vendosë.

Gjykata duhet ta shqyrtojë brenda 5 ditësh nga e premtja.

Berisha akuzohet për favorizim të familjarëve të tij në privatizimin e ish-kompleksit Partizani, gjatë kohës që ai ka qenë në qeveri. Padia kundër Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi u depozitua disa vite më parë nga Taulant Balla.

Për Malltezin, pas qëndrimit në qeli, gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest shtëpie.

Ndërkohë, që ditën e sotme janë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë 2 raportet e Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit, Sali Berisha.

Njëri është raporti i Enkelejd Alibeajt, ndërsa raporti i dytë është ai mazhorancës.

“Përfundimisht, si anëtar i Këshillit për Imunitetin, i rekomandoj seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë, për miratimin kërkesës për dhënien e Autorizimit, të kërkuar me shkresën nr. 16688 prot., datë 12.12.2023 të SPAK “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, thuhet në raportin e Alibeajt./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re